E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermela: Kam luftuar për çmimin

SHKRUAN: Ilda Lumani 04-04-2011 11:12

“Fitoren ja kushtoj forcës sime më të madhe, familjes sime, sidomos motrave”

“Fitoren ja kushtoj forcës sime më të madhe, familjes sime, sidomos motrave”. Kjo ishte deklarata që Ermela e tha para dhe pasi u kurorëzua fituese e edicionit të katërt të “Big Brother”. E para femër që fitoi këtë reality-show, Ermela, ka marrë çmimin 100 milionë lekë, ndërsa emocionet më të forta i pati gjatë spektaklit kur takoi të atin e saj, i cili edhe pse nuk kishte qenë dakord që vajza e tij të hynte në shtëpinë popullore, të shtunën në mbrëmje ishte po aq i emocionuar sa e bija e tij. Ermela pohoi se kishte nevojë për atë çmim, pasi ajo lojën e saj e kishte fituar qysh një javë më parë, kur ajo ngeli e vetmja vajzë në shtëpi mes tre djemve. Pak çaste pas përfundimit të spektaklit, Ermela u shpreh se “E dëshiroja me gjithë zemër të ishte fituese një femër, në mos unë dikush tjetër. Kam luftuar sepse asnjë gjë e mirë nuk vjen pa luftuar. Kam luftuar për këtë çmim”. Ndërkaq, ajo ka pohuar se i është trembur Nedës si konkurrente “Mendoj se mënyra sesi i artikulonte, perceptonte situatat mendonte se ishin ato të duhurat. Në momentin që pashë se realiteti nuk kishte asnjë lidhje me teoritë e saj, e hoqa gjithë frikën”. Por Ermela i sfidoi të gjithë, vajza dhe djem, të 26 banorët që hynë në shtëpi dhe për 100 ditë u bënë pjesë e një loje, që në shumë raste e kaloi cakun duke krijuar situata të forta debati dhe konflikti mes banorëve.

Festa

Pjesa më e madhe e ish-banorëve të ‘Big Brother’ kanë qenë prezent të shtunën në mbrëmje në spektakël, për të mbështetur banorët e fundit. Të paktë kanë qenë ata që kanë dashur fitoren e Ogrenit (përveç Nedës në fakt), ndërsa pjesa tjetër ka qenë e ndarë mes Ergysit dhe Ermelës. Sapo ka mbaruar spektakli, të gjithë janë përfshirë në një festë që ka nisur po në skenën e spektaklit dhe që ka vazhduar më tej në një nga pub-et e kryeqytetit, deri në orët e para të mëngjesit. Katër finalistët, mes tyre dhe fituesja e këtij edicioni, kanë qenë të ftuar dje në Fun Club, ku si rrallë herë biseda shkoi e qetë. Siç duket, debatet ish-banorët i kanë lënë për në spektaklin e së shtunës së ardhshme “Post-Big Brother”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›