Ermela Teli, Antigona moderne në skenën e Durrësit
Një Antigonë moderne është ngjitur dje në skenën e teatrit të Durrësit nga regjisori italian Juri Dini. Bëhet fjalë për variantin e rishikuar të tragjedisë së Sofokliut. Rishikim ky, i bërë në vitet ’40, nga francezi Xhan Anui. Këndvështrimi i regjisorit për këtë shfaqje ishte i bazuar mbi plastikën e aktorëve, lëvizjet ndonjëherë flasin më shumë se vetë fjalët dhe pasqyrojnë ngjarjet, botën, deri te ndjenjat apo konfliktet e brendshme e të jashtme të personazheve. Ndërkaq, edhe dekori i shfaqjes ka qenë i veçantë, ku tonalitetet e së kuqes ishin dominante në skenë, për të kaluar te muzika, e cila ndërthurrte modernen me tradicionalen, (lahutë, fyell dhe kitarë elektrike).
Protagonistja, Antigona, është interpretuar nga aktorja e talentuar dhe tashmë e afirmuar durrsake, Ermela Teli, e cila bën një rikthim të bujshëm në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Personazhi tjetër kryesor, mishëruesi i së keqes (Kreonti), i është besuar aktorit të mirënjohur Neritan Liçaj. Në skenë është parë edhe aktorja nga Franca Valerie-Anne Desmaret, e cila ka sjellë lojën e veçantë të zjarreve në pjesën e fundit të tragjedisë. Subjekti i “Antigonës” bën fjalë për motrën (Antigona),
e cila varros të vëllanë e vrarë barbarisht pas një lufte, duke dalë kështu kundër urdhrit të prerë të mbretit Kreont. Vëllai i Antigonës, Poliniku, është quajtur tradhtar i Tebës dhe për të ka një urdhër që të mos varroset, por të lihet në shesh që ta hanë sorrat dhe kafshët. Pikërisht këtu nis dhe drama e Antigonës, e cila drejtohet nga thirrja shpirtërore dhe humane për të varrosur sipas të gjitha zakoneve të vëllanë e vrarë pabesisht. Realizimi i kësaj shfaqjeje ka pasur për mbështetës kryesor Bashkinë e qytetit bregdetar të Durrësit.
6 Nentor 2008