Italiani Bevilacqua, i ftuar special në Panairin e Librit
Panairi i librit “Tirana 2008” mbërrin në Edicionin XI të tij, nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe do të mbahet më 14-18 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke shënuar panairin më të madh të librit të mbajtur në mbarë hapësirat shqiptare pasi këtë vit stendat e librit do të pushtojnë tre katet e Pallatit të Kongreseve. Ceremonia e çeljes së Panairit XI, “Tirana 2008” do të mbahet më 14 nëntor ,në orën 18.00. Është menduar të organizohet në formën e një feste të madhe.
Duhet theksuar se çdo botues ka pasur luksin që në këtë edicion të marrë aq sipërfaqe sa ka kërkuar për shkak të hapësirës së ofruar në tre katet e Pallatit të Kongreseve, mundësi që nuk e kanë pasur në edicionet e shkuara, pasi mjediset e Piramidës nuk mjaftonin për të gjithë. Synimi i këtij panairi është paraqitja e të rejave nga fusha e botimeve mbarëshqiptare dhe përtej kufijve, kontaktet tradicionale të njerëzve të librit dhe paraqitja e vlerave të arritura nga fusha e botimeve nëpërmjet përurimeve të librave, konferencave, çmimeve e të gjitha veprimtarive të tjera që do të mbahen gjatë ditëve të evenimentit më të rëndësishëm të librit në të gjitha hapësirat shqiptare. Takimet promovuese me autorët pjesëmarrës do të jenë tepër intensive dhe në çdo orë të ditës në dy sallat e konferencave gjatë gjithë ditëve të Edicionit XI. Janë parashikuar gjithashtu konferenca të posaçme me shkrimtarë të ftuar dhe disa tryeza debati mbi problemet e vazhdueshme të librit shqip. Sa u takon botuesve pjesëmarrës të këtij edicioni të panairit të librit, ata do të jenë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, si dhe nga vende më të largëta si India, Irani, Kroacia, Italia, etj. Siç pohojnë organizatorët e Panairit, një nga risitë e këtij viti do të jetë bashkërendimi me bashkitë e të gjitha qyteteve të Shqipërisë, në mënyrë që nxënësit e shkollave publike dhe personeli i bibliotekave të rretheve të njihen me prurjet e reja duke vizituar mjediset e këtij panairi. Edhe sivjet, panairi do të ndajë 5 çmime që janë “Shkrimtari i Vitit”, “Përkthyesi i Vitit”, “Paraqitja më e mirë në Panair”, “Libri më i shitur”, “Libri më i realizuar grafikisht” dhe “Autori më i vlerësuar për fëmijë”.
6 Nentor 2008