Ermonela Jaho
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho zëvendëson Anna Netrebkon e sëmurë, në Royal Opera House në Londër. Ajo interpreton rolin e Violetës, e cila u prit mjaft mirë nga publiku, megjithë kohën e pakët në dispozicion
Kur mësuan lajmin, spektatorët shprehën shenja dëshpërimi. Nuk do të shihnin Violetën që prisnin. Por duartrokitjet në fund të shfaqjes treguan se askujt nuk i erdhi keq për paratë e shpenzuara për biletën. Violeta shqiptare nuk binte më poshtë se sopranoja ruse që vitet e fundit ka njohur një ngritje të rrufeshme nga kritika, nga spektatori, e superkërkuar nga teatrot e operave.
Kështu pra, rastësia fatlume e ngjiti para pak ditësh sopranon Ermonela Jaho në skenën e Royal Opera House. Për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore të sopranos ruse Anna Netrebko u vu në rrezik shfaqja e operës “La Traviata” të kompozitorit Giuseppe Verdi. Netrebko mundi të interpretonte vetëm për një natë. Kështu ndodhi që në kartelonin londinez, emri i të famshmes Netrebko të zëvendësohej nga ai i sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Pas përhapjes së lajmit, mediat e komentuan si “shumë të bukur për të qenë i vërtetë” kombinimin mes këngëtarëve Netrebko, Kaufmann dhe Hvorostovsky. Pati nga ata që e panë me dyshim zgjedhjen e drejtuesve të operës (dirigjenti Maurizio Benini dhe regjisori Richard Eyre). Madje dhe vetë tenori, që interpreton rolin e Alfredos u duk i tillë. “Teksa po ushtrohesha me zërin, në mëngjes marr një telefonatë të “pafatë”. Ana nuk ndihej mirë për të performuar dhe në të vërtetë kur fola me të, ajo ishte gati e padëgjueshme. Do të jetë një soprano tjetër. Ermonela Jaho po udhëton prej Nju Jorkut për të kënduar sot. Ajo ka shumë pak kohë për t’u përgatitur dhe unë nuk kam kënduar me të asnjëherë më parë”, - u shpreh të nesërmen e premierës për “The Indipendent”, tenori gjerman Jonas Kaufmann. Përkundër shqetësimit të shprehur në fillim, vetë Kaufmann, pas interpretimit në krah të Jahos, do të shprehej se nuk kishte zëvendësim më të mirë dhe se sopranoja shqiptare është “fantastike”.
Por nuk ka qenë e lehtë për këngëtaren, e cila nuk pati mundësi të bënte prova përpara se të interpretonte në një nga skenat më të rëndësishme operistike në botë. “Drejtuesit e Royal Opera House e sollën me urgjencë nga Nju Jorku dhe u ngjit në skenën londineze menjëherë pasi kish mbërritur nga një udhëtim transatlantik, duke shpëtuar kështu premierën në rrezik. Pas një fillimi disi pasiv, Jaho e merr veten duke arritur që në mënyrë progresive të bëhej një prezencë e hijshme në skenë. Në aktin e fundit ajo interpretoi mrekullisht mirë”. Kështu shkruhet në “Paris-Broadway”. Duket se Jaho ka dhënë maksimumin dhe publiku londinez pati mundësinë të shihte një Violetë po aq të mrekullueshme sa ç’e kemi parë në Tiranë disa muaj më parë, kur sopranoja interpretoi të njëjtin rol, nën drejtimin e regjisorit italian Massimo Ranieri.
“Në fillim të shfaqjes, dukej se spektatorët ishin pak të dëshpëruar, që nuk do të ishte Ana në skenë, por Ermonela u përmirësua nga hera në herë dhe në aktin e tretë ajo ishte e mrekullueshme. Improvizoi aq mirë, saqë nuk pati as më të voglën luhatje, apo gabim. Performanca e saj ishte fantastike”, - komenton “The Indipendent”.
Në forumet e shumta, që ziejnë këto ditë mbi këtë temë, të pranishëm në sallë thonë se në momentin kur Violeta (Ermonela Jaho) këndoi “Ah! Io ritorno a vivere! Oh gioia!”, nuk mbetën sy pa lotuar.
Jaho interpreton edhe sot në skenën londineze. Në faqen zyrtare të Royal Opera House, thuhet se “sopranoja ruse Anna Netrebko vazhdon të jetë e sëmurë me bronshit dhe nuk mund të rikthehet për “Traviatën”. Ashtu si në datën 17 dhe 20 janar, edhe sot në mbrëmje roli i Violetës interpretohet nga Ermonela Jaho për të cilën kjo ishte hera e parë e cila interpretoi për herë të parë në Covent Garden”.
Përpos faktit që Jaho interpreton në këtë skenë të rëndësishme, duhet nënvizuar që ajo zëvendëson pikërisht Netrebkon, 36-vjeçaren ruse, që momentalisht konsiderohet si një nga zërat më të bukur femërorë në botë. Ajo i përket një brezi të ri këngëtarësh që vitet e fundit po sundon skenat operistike.
Dhe pikërisht pas interpretimit të Jahos, një nga spektatorët do të shprehej “Bravo Ermonela. Netrebko, tani mund të kthehesh në shtëpi!”.