E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mjekët me Master, nuk zbatohet vendimi për pagesat

 Sipas Drejtorisë së QSUT-së mjekët janë ankuar për mosmarrjen e shtesë së pagës, të miratuar nga qeveria 3 muaj më parë
Eglantina Bardhi
Mjekët të cilët kanë mbaruar shkollë pasuniversitare nuk kanë marrë shumën prej 10 mijë lekësh në muaj, që u premtua nga Qeveria. Kështu, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" të cilët kanë mbaruar pasuniversitar pohojnë se, ndonëse kanë kaluar 3 muaj nga vendimi i qeverisë ende nuk i kanë marrë paratë. Madje, mjekët kanë paraqitur një ankesë pranë Drejtorisë së QSUT-së ku kërkojnë shpjegime në lidhje me këtë problem. Ndërsa zëdhënësi i QSUT-së, Alvi Bajramaj pohon se ankesa e mjekëve është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë pasi ata janë institucion që varen nga ky dikaster.
Ankesat e mjekëve
Ndonëse ka qenë vendim qeverie i miratuar rreth 3 muaj më parë ende nuk kanë mundur të shijojnë pagesën prej 10 mijë lekësh (të reja) në muaj siç ishte premtimi, i cili u anonçua nga vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha. Të ndodhur përballë këtij fakti, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të zhgënjyer ndaj moszbatimit të vendimit të qeverisë i janë drejtuar Drejtorisë së spitalit të tyre për të marrë ndonjë përgjigje. "Vetë kryeministri Berisha para 3 muajsh premtoi se mjekët me shkollë pasuniversitare do të merrnim 10 mijë lekë më shumë në pagë, por deri më sot pagës tonë nuk i është shtuar as edhe një qindarkë më shumë",- pohon njëri nga mjekët e QSUT-së duke shtuar se ky është një nënvleftësim që iu bëhet bluzave të bardha dhe aq më tepër, kur bëhet fjalë për mjekë specialistë. Ndërkohë mjekët shpjegojnë se në bazë të vendimit të qeverisë këtë shumë do ta përfitonin mjekët që nuk janë pedagogë në universitete, pra, ata që nuk marrin një rrogë të dytë në arsim. Gjithashtu ata pohojnë se shumica e mjekëve në QSUT janë me Master ndaj dhe ankesat drejtuar drejtorisë së tyre janë të shumta. "Fundja ai ishte një vendim qeverie, ndaj dhe është serioze që të zbatohet me përpikmëri",- pohojnë mjekët e QSUT-së duke shtuar se duhet të merren masa për zbatimin e këtij vendimi.
Drejtoria
Jemi në dijeni të problemit të ngritur nga mjekët që kanë mbaruar shkollë Pasuniversitare, të cilët nuk kanë marrë ende shtesën e pagës prej 10 mijë lekësh me vendim qeverie, por kjo nuk është në dorën tonë. Kështu u shpreh zëdhënësi për shtyp i Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Alvi Bajramaj, duke shpjeguar se ankesat e mjekëve ia kanë përcjell Ministrisë së Shëndetësisë. "Ne jemi institucion që varemi nga Ministra e Shëndetësisë ndaj dhe për këtë problem do të presim përgjigjen e këtij dikasteri",- pohon Bajramaj duke shtuar se kjo i është dërguar Ministrisë, që në kohën kur u miratua vendimi i qeverisë për shtesat e pagave të mjekëve. Ndërkohë ai shpjegon se në momentin që do të jepen fondet, mjekët do të marrin shtesën e pagave duke filluar që nga momenti që është miratuar vendimi i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›