E Diel, 1 Nëntor 2026

Humb drejtimin e mjetit, vdes 28-vjeçari

Korçë- Një 28-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e humbjes së kontrollit gjatë drejtimit të automjetit. Sipas policisë së Korçës, aksidenti ndodhi rreth orës 00.30, në segmentin nacional Korçë-Kolonjë, në afërsi të fshatit Dvoran. Landi Sali, 28-vjeç, ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip Ford me targë KO 6884 B. Nga hetimet e policisë në vendngjarje, rezulton se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe dhe pamja e kufizuar nga errësira, e cila ka nxjerrë jashtë rruge drejtuesin e Ford-it, i cili udhtëonte i vetëm duke u kthyer në shtëpinë e tij. Mjeti ka dalë nga rruga në një pjesë të saj ku dhe errësira është e madhe, madje dhe problematike për të gjitha mjetet që udhëtojnë gjatë natës në të, ndërsa gjithçka është zbuluar pas një ore kur një tjetër mjet ka përshkruar këtë rrugë dhe ka parë mjetin e rrëzuar. Menjëherë është njoftuar policia e Korçës, e cila ka shkuar në vendngjarje, ndërsa është përpjekur të shpëtohet jeta e drejtuesit të mjetit, banor i fshatit Kamenicë, por ai nuk kishte më shenja jete. Sipas mjekëve të spitalit rajonal, vdekja është shkaktuar nga plagët e shumta në trup dhe kryesisht në kokë dhe gjakderdhja e madhe. Ky është aksidenti i parë automobilistik në qarkun juglindor të vendit.
Probleme me pronësinë, plagos me kosore bashkëfshatarin
Vlorë-Një konflikt pronësie në Selenice të Vlorës ka përfunduar me goditjen e një kosoreje. Gjithçka ka nisur për një debat për kufijtë e pronës. Sipas policisë, dy shtetasit kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me pronësinë dhe mbrëmjen e djeshme debatet janë acaruar. Siç bëhet me dije, dyshohet se shtetasit Vasil Zijai, 52-vjeç, ka goditur me mjete të forta të tipit kosore shtetasin Dh Miraj, 70-vjeç, banues ne të njëjtën zonë. Aktualisht pas goditjes shtetasi Miraj ndodhet në spitalin rajonal të Vlorës jashtë rrezikut për jetën. Atij i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe vijon të mjekohet nga bluzat e bardha në pjesët e trupit ku është goditur. Materialet iu referuan prokurorisë së rrethit gjyqësor për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›