Sfond i zi për rrugë me dritë
Një temë për debat duke marrë shkas nga “POETEKA 10”, numri dimëror i revistës së kulturës poetike. Në epokën e poezisë me pak lexues, ka një poete bestseller: Nënë Tereza.
Ndonëse UNESCO e shpalli 2007 - ën, vitin e nderimit për poetin e madh persian, Mevlana Xhelaledin Rumi (1207 - 1273), numri i dhjetëi revistës POETEKA, për lexuesin elitar të kësaj reviste hapet në një sfond të errët: Fillimisht me një fjalë nga kryeredaktori i saj Arian Leka mbi metoniminë e rrugëve të qytetërimeve njerëzore - për kulturën konsumative të rrugës, kryesisht të muzikës, pikturës, arteve të aplikuara, etj. e cila mungon në sheshe e rrugë të kryeqytetit tonë, në qytetet e tjera të mëdha apo në zonat turistike, shkrim pasues ky, i serisë së deduksioneve etike dhe psikosociale që autori boton herë pas here në shtypin e ditës. Së dyti vjen një letër nga Bejruti, Joumana Haddad i cili flet grafikisht me shifra e statistika: Në botën e pafundme arabe, që me krenari pretendon se ka më tepër se 20 000 poetë, numri i lexuesve është 9720, pra, dy poetë shkruajnë për një lexues! E gjitha përngjan e trishtuar, e hidhur, e vrazhdë! Kësaj letre i përgjigjet Fiona SAMPSON, autore e 10 librave të botuar, (poezi e filozofi gjuhe), gjithashtu redaktorja themeluese e revistës së njohur Orient Exppress dhe botuese e Poetry Revieë, themeluar në 24 shkurt 1909 nga Poetry Society: Paradoksi i një bote arabe me 270 milionë banorë, 20 mijë poetë dhe rreth 10 mijë lexues na bën të pushtohemi njëherazi nga pikëllimi dhe hareja.
Pavarësisht statistikave dekurajuese të dyqanit letrar mbi shitjet e poezisë në botë, ka një poete që është bestseller, Nënë Tereza e Kalkutës, (Çmimi NOBEL për Paqe, 1979). Librat e saj me poezi dhe urata bëjnë xhiron e botës! Fakti që mbajnë radhë për të blerë librin e saj shumë të rinj, djem e vajza “pirsingu” që nuk kanë shkelur kurrë në kishë do të thotë shumë. (Përkthimi shpirt - shpirt i një përzgjedhjeje poetike nga Nënë Tereza është bërë më 2003 nga poeti shqiptar Visar Zhiti).
Një herë ta kesh Qiellin brenda vetes,/do të të mbetet për gjithë jetën./ I gjithëfuqishëm është/ pa përdorur forcën/ dhe për asgjë nuk të detyron./ Bëji gjërat/ sikur gjithçka të varej nga ti,/ ç’mbetet, lërja Zotit!/ Po Mahatma Gandi si thotë:‘Trëndafili s’ka pse të predikojë,/ aroma është predikimi i tij”.
Në meshën e Natës së Krishtlindjeve për vigjiljen e mijëvjeçarit të tretë, në Katedralen e Shën Patrikut, Neë - Jork, peshkopi tha se, ekranet televizive të të gjithë botës janë të mbushur me politikanë e supermiliardierë, këngëtarë të muzikës rock e pop, me aktorë hollivudianë, sfilatistë, me sportistë dhe me Nënë Terezën. Ç’do kjo grua plakë, gati 100 vjeç, që nuk është as e pushtetshme dhe as e pasur, as këngëtare e “kujes elektronike”, që nuk ka më as forcën dhe bukurinë e rinisë mes të gjithëve këtyre?!
Brenda mahnisë së kësaj pyetjeje të madhe, unë do të pyesja: Çfarë ka të jashtëzakonshme kjo poete, që nuk e kanë poetët e tjerë të kohës tonë që kanë marrë çmimin NOBEL për poezi! Pse librat e tyre poetikë nuk e bëjnë dot xhiron e botës?! (Pavarësisht dhembshurisë që na shkakton ky fakt)! Poetë të botës në kohën tonë konsiderohen vetëm ata që kanë vdekur kohë e kohë më parë.
Varfërinë nuk e ka dhënë Zoti,/ ne e kemi shkaktuar,/ unë e ti,/ me egoizmin tonë.
Çfarë ka të jashtëzakonshme kjo poete, që bën të pushojë lufta e tmerrshme në Somali, në frontin ku nuk hyri dot as OKB, Nënë Tereza ndalon luftën për aq orë sa ajo të rrëmbente të vobektët e saj kockë e lëkurë mes të vrarëve të luftës, kaosit dhe kolerës! Çfarë ka të jashtëzakonshme kjo poete që i është shkruar si në kohërat e lashta poezia, e gdhendur mbi një mur në Kalkutë?! Ja, poezia e skalitur, KREDO:
Njeriu shpesh është i pakuptueshëm, spontan, vetanak./ E ç’rëndësi ka, duaje!/ Nëse mirë bën, do të thotë se plotësohet qëllimi i vetes./ E ç’rëndësi ka,/ bëj mirë!/ Nëse do të jeni i suksesshëm,/ miq të rremë do të gjeni dhe armiq të vërtetë./ E ç’rëndësi ka, vazhdo!/ E mira që bën, do të harrohet nesër./ E ç’rëndësi ka, qofsh i kthjellët!/ Sinqeriteti dhe nderi do të të bëjnë të plagosesh kollaj./ E ç’rëndësi ka, krijo!/ Le të shëmbet natën ajo që ke ngritur me vite./ E ç’rëndësi ka, ndërto përsëri!/ Le të mos kënaqen njerëzit, kur u gjendesh pranë./ E ç’rëndësi ka, ndihmoji!/ Botës jepja pjesën më të mirë të vetes.
S’do të jetë e mjaftë. Do ta flakin./ E ç’rëndësi ka!/ Po ti dhuroje pjesën më të mirë të vetes!/ Dhe do të vazhdosh të jesh i lumtur./ Të kuptohemi mirë, e gjitha kjo/ S’është kurrë midis jush dhe atyre,/ por midis nesh dhe Zotit.
Po rimarr edhe njëherë një thënie të hershme të poetit shpirtndritur shqiptar Frederik RRESHPJA: Poezia dhe Opera janë si të florinjtat e varfanjakes, megjithëse ka nevojë të madhe për bukë ajo nuk i shet të florinjtat e saj! Njeriu nuk do ta shmang dot kurrë nevojën e shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve ndaj ngjarjeve të jetës së vet, andaj gjithçkaja jetike e tij është kaq e lidhur me fjalën, sa lutja numër 1: Bukën e përditshme epna, Zot! Veçanërisht njeriu nuk shmang dot në të përditshmen e tij, (edhe njëherë: Pavarësisht letrës ardhur nga Bejruti!), nevojën e veshjes së dashurisë me fjalë, sepse shpirti i përket Inteligjencës Absolute, ndonëse përdëllimin shpirtëror njerëzimi më shumë e përmbush sot si në fillimet e qytetërimeve të tij, vargje&muzikë të marra njëherazi prej këngës në ajrì.
Që filozofia e të kënduarit është më mistike nga ç’e dimë, në një dokumentar të llojit nga Discovery Chanel të titulluar KËNGA E TOKËS, përfundimi qe tronditës: Njerëzit këndojnë si mbetje e një funksioni biologjik që ka të bëjë me gjenezën, aq sa nga gjetjet parahistorike në shpella, lind pyetja: A ka kënduar njeriu para se të fliste? Argumenti ngrihej mbi shembuj nga rekordet e të kënduarit në natyrë: Kënga më e gjatë dhe e më e ndërlikuar është ajo e balenave me gungë, të cilët këndojnë meshkuj e femra, në gjirin e Samanës, ku vijnë përçdo vit nga Atlantiku verior dhe këndojnë së bashku këngën e tyre gjatë dy akteve jetike, të mbarsjes dhe lindjes të të vegjëlve. Në pranverë, stina e dashurisë së zogjve, kënga vlerëson cilësitë mashkullore, sepse femrat çiftohen me meshkuj që kanë më tepër tinguj dhe zogu i xunkthit të liqenit mbetet më i miri duke arritur gjer në 45 tinguj. Mbaskësaj në jetën e tribuve afrikane ku janë ende autentike të pastilizuara kënga, ritmi muzikor dhe vallja, plot shembuj nga gjëkafshëzat dhe jeta shoqërore e njerëzimit, për të zbuluar e kuptuar se mbrojtja e territorit dhe seksit janë të lidhura ngushtë me Këngën e Tokës.
Por çështja, pse njeriu këndon në grup, si rudiment i prehistorisë, shkon edhe më larg. Që poezia mund të shërbejë si strategji diskrete e politikave të perspektivës në shërbim të një shteti që federon tash për tash, por që do të ekzistojë në të ardhmen, pas tridhjetë vjetësh, si një shtet i pavarur, këtë gjë e përdori Maqedonia me sukses të plotë që më 1962, kur nisi festivalin ndërkombëtar të poezisë “Mbrëmjet Poetike të Strugës”! (Ishte Shqipëria shteti i parë në OKB që ta njihte Maqedoninë si shtet të pavarur më 1992). Në vitin 2001 kam hyrë rastësisht në dyqanin e një fotografi maqedonas në mes të pazarit të Strugës, ku më së shumti flitet shqip. Ai kishte veshur muret e studios fotografike me fotot e zmadhuara, të të laureuarve ndërkombëtarë si Neruda, Montale, Auden, Alberti, Krleza, Ricos, Ginzberg, Brodsky, Transtroemer, Sanguinetti, etj. dhe përgatiste për turistët e shumtë foto me përmasa të ndryshme të poetëve pjesëmarrës dhe të kurorëzuar në netët strugane, portrete e profile poetësh në zë, si dhe foto të lira gjatë sezonit të festivalit. Bleva një të tillë me tre poetë fitues, dalë në Strugë më 2001: Seamus Heaney, (Irlandë - 2001), Justo Horhe Padron (Spanjë -1990), Tomas Shapkott (Australi - 1989). Ndjeva respekt për këtë fotograf maqedonas, këtë shtetas të mirë që kishte dyzet vjet rresht që i shërbente shtetit me përgjegjësi qytetare më fort se ushtria.
Një grup poetësh shqiptarë, (një besëlidhje poetësh), nisën më 2004, festivalin e përvitshëm ndërkombëtar të poezisë Poeteka që bëhet gjatë një jave të plotë në Durrës. Tre edicionet e para janë nderuar me personalitete të tilla botërore si, Edoardo Sanguinetti, Olga Sedakova, Maria Luisa Spaziani, Jevrem Brkoviq, Titos Patrikios, Mircea Dinescu, Ferid Muhiq, Fiona Sampson, Hart Ëegner, Hans Raimund, Boris Biletiç, Eduardo Moga, Haydar Ergulen, Athina Papadakis, etj. Dhe ky festival u ndërtua me reciprocitetin e njohjes personale dhe respektit në takime prestigjoze ndërkombëtare të poetëve shqiptarë me poetë të huaj.
Le ta mirëkuptojë shteti shqiptar këtë festival, si pjesë të politikave e strategjive të veta në shërbim të çështjes kombëtare dhe integrimit të Shqipërisë. Le të grishen miqtë e shquar poetë nga bota me një kurorë të shenjtë poetike: Nënë Tereza e Shqipërisë! Poetja bestseller e kohës tonë! Siç shkruan Visar Zhiti: Gjithmonë kam ëndërruar shtatore të Nënë Terezës shesheve të qyteteve tona, madje dhe libra të mëdhenj prej guri a bronxi, të hapur, ku të ishin të shkruara përjetë thënie nga lutjet e saj...
Le ta gdhendim në gur vjershën e saj:
Shqipëria nuk është ëndërr!/ Njerëzit e mi kanë vdekur atje./ Po unë kam marrë Krishtin për dore,/ t’ia çoj fisit tim…
Dhe të meditojmë pak më gjerë mbi gjithçka ku ndodh Kënga e Tokës tonë.
Por çështja, pse njeriu këndon në grup, si rudiment i prehistorisë, shkon edhe më larg. Që poezia mund të shërbejë si strategji diskrete e politikave të perspektivës në shërbim të një shteti që federon tash për tash, por që do të ekzistojë në të ardhmen, pas tridhjetë vjetësh, si një shtet i pavarur