Tenderi i pastrimit, gjobë kryebashkiakut të Pogradecit
POGRADEC
Anulohet tenderi mbi 28 milionë lekë për pastrimin e qytetit të Pogradecit. Agjencia e Prokurimit Publik e ka marrë këtë vendim pas analizimit të procedurave të tenderit të realizuar dhjetorin e shkuar. Për shkeljet e hasura gjatë zhvillimit të tij, APP ka shpallur fajtor kryebashkiakun e Pogradecit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave. Sipas akt-inspektimit të formuluar nga APP, në fund të muajit janar, Artan Shkëmbi, në pozicionin e titullarit të Autoritetit Kontraktual, (në këtë rast bashkia) gjobitet me 100 mijë lekë. E njëjta shumë është caktuar dhe për kreun e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ndërsa nga 50 mijë lekë gjobë është masa administrative për anëtarët e komisionit. Për APP-në, mangësitë dhe problemet në dokumentacionin e paraqitur nga dy shoqëritë që u përfshinë në tender duhet të vendosnin menjëherë anulimin e tij. “Për rrjedhojë, kontrata e lidhur midis bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Paster sh.p.k@ Leal sh.p.k@ Jon-Alb-Flores sh.p.k dhe autoritetit kontraktor Bashkia Pogradec, më 3 dhjetor 2008, është e pavlefshme”, theksohet në akt-inspektimin e APP-së, me të cilin është vënë në dijeni dhe Bashkia e qytetit. Iniciativën për të nisur kontrollin e procedurave të tenderit për pastrimin e qytetit të Pogradecit nga Agjencia e Prokurimit Publik e morën dy operatorë ekonomikë që pretendonin shkelje të rregullave të prokurimit publik gjatë zhvillimit të procedurës së prokurorimit tender i hapur. Në komisionin e vlerësimit të ofertave, veç kryetarit ishin dhe dy anëtarë, ndërsa në Njësinë e Prokurimit tre të tjerë. Sipas APP-së, mangësitë hasen që në fillim, pasi mungon procesverbali i miratimit të dokumenteve të tenderit, hartuar nga Njësia e Prokurimit. Po ashtu, nuk performohet saktë se si do të kryhet shërbimi i pastrimit në disa zëra. Duke kontrolluar me detaje dokumentacionin e firmave pjesëmarrëse, (veç fitueses ishte në konkurrim dhe “Bajrami N+Shpresa” sh.p.k, Agjencia e Prokurimit Publik konstaton se në secilën prej tyre ka probleme. Në rastin e fitueses, ajo nuk plotëson numrin e punonjësve dhe xhiron mesatare vjetore, caktuar në VKM, nuk ka bilance të konfirmuara të aktivitetit të mëparshëm, mbi makineritë që kanë në pronësi, etj. Elementë këto që sipas APP-së çonin direkt në skualifikimin e shoqërisë dhe jo vazhdimin e tenderit e shpalljen e fituesit, siç është vepruar në dhjetor.