E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Këngëtarja tullace" në Teatër

 

Ata janë njerëz të zakonshëm, që ndërsa tregojnë për jetën e tyre bashkëshortore zbulojnë se komunikimi është gjëja më e vështirë. Teatri absurd do të ngjitet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar. Regjisori Spiro Duni do të sjellë në skenën e këtij teatri për publikun kryeqytetas komedinë absurde "Këngëtarja tullace", e shkruar nga dramaturgu franko-rumun, Eugene Ionesco. Ndonëse sezoni artistik i Teatrit Kombëtar është mbyllur prej dy javësh, kjo komedi do t'i mbajë hapur dyert e tij, duke u shfaqur në datën 10 korrik. E risjellë për spektatorin kryeqytetas pas 15 vjetësh, komedia do të vijë në një version të ri nga regjisori Duni, i cili ka menduar ta trajtojë tërësisht si një vepër absurde. Madje, sipas tij, dhe skenografia do të jetë absurde dhe e veçantë, pasi në skenë do të vendosen objekte të shumta multifunksionale. Në qendër të komedisë, të cilën vet Ionesco e ka cilësuar si antikomedi, janë tre çifte bashkëshortësh, të cilët rastësisht mblidhen në shtëpinë e njërit prej tyre. Dhe mes bisedave me njëri-tjetrin merr jetë absurdi i veprës dhe vështirësitë që hasin në komunikim njerëz të së njëjtës kulturë. Në këtë komedi do të interpretojnë aktorët Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Anila Bisha, Marjana Kondi, etj. "Këngëtarja tullace" është vënë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar në vitin 1994 nga Agim Qirjaqi. Kjo vepër e Eugene Ionesco është shkruar në vitin 1950, vit në të cilin është vënë për herë të parë edhe në skenë. Kjo është vepra e parë e dramaturgut dhe u bë një nga veprat e tij më të suksesshme dhe më të ngjitura në skenën e teatrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›