E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet në Itali, nis më 6 qershor regjistrimi paraprak

SHKRUAN: Jonida Tashi 25-05-2011 11:24

Nis më 6 qershor regjistrimi paraprak i studentëve shqiptarë që duan t’i ndjekin studimet e larta në Itali. Për këtë arsye, Ambasada Italiane në Tiranë publikon zyrtarisht udhëzimet për regjistrimet në universitetet italiane për studentët shqiptarë, në të cilat detajohen afatet dhe procedurat e aplikimit për çdo fazë. Sipas udhëzimit të Ambasadës, studentët që dëshirojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane në vitin akademik 2011/2012 duhet që në fazën e parë të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e pararegjistrimit (dokumentet do të dorëzohen personalisht nga të interesuarit pranë Ambasadës Italiane, duke caktuar takim nga data 6 deri në datën 17 qershor 2011). Më pas, nga data 1 deri në datën 31 korrik, do të dërgohet përmes korrierit Albanian Courier, Dëftesa e Pjekurisë (ose diploma universitare) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet. Ambasada Italiane bën të ditur se do t’u lëshojë vizën studentëve sapo të ketë marrë konfirmimin e regjistrimit prej universitetit dhe do t’u dorëzojë të interesuarve (gjithmonë përmes Albanian Courier) pasaportën dhe dokumentet e legalizuara.

Kërkesa

Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e pararegjistrimit duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit Prenoto Online, në web site-in e Ambasadës Italiane në Tiranë (www.ambtirana.esteri.it), duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Takimi mund të caktohet edhe përmes call center-it, në numrat 0900 404 3000 (nga telefonat fiks) dhe 0900 404 4000 (nga telefonat celularë). Takimet mund të caktohen nga data 6 deri në datën 17 qershor 2011. Studentët duhet të paraqiten në datën e takimit me dokumentacionin e mëposhtëm: formulari i regjistrimit (modello A) tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare, që nuk do të mund të ndryshohet më pas. Lista e të gjitha degëve mund të konsultohet në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/; formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje; Dëftesa e Pjekurisë dhe Certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal dhe 2 fotokopje. Studentët që nuk zotërojnë më dëftesën origjinale do të dorëzojnë një vërtetim me rezultatet e të gjitha viteve. Studentët e regjistruar në vitin e fundit, që do të marrin dëftesën në verën e vitit 2011, do të paraqesin një vërtetim notash, me notat e tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të fundit. Dëftesa përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës. Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë drejtorisë arsimore rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më pas, dokumentet duhet të përkthehen në gjuhën italiane dhe të legalizohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (duhet të legalizohet origjinali dhe përkthimi; fotokopje e formularit A1 për regjistrimin në 2 provimet me zgjedhje (për studentët që nuk zotërojnë ende Certifikatën e Maturës Shtetërore); fotokopje e certifikatës së gjuhës italiane lëshuar nga Universiteti i Perugia-s (Celi 3); fotokopje e pasaportës; 2 fotografi. Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf, ku duhet të shënohen: emri dhe mbiemri i studentit; universiteti, fakulteti, dega e studimit; numri i telefonit (celular dhe telefon fiks); adresa e postës elektronike. Studentët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së dokumentacionit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›