E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erozioni, 30 varre përfundojnë në lumë

 

BURREL - Mbi 30 varre të fshatit Myzë në Mat kanë përfunduar në lumin me të njëjtin emër. Rrëshqitja e tokës vit pas viti dhe mungesa e investimeve për të ndërtuar një argjinaturë ka sjellë këtë dëm të madh. Ndërkohë, rreziku nga shembja e tokës ka vënë në rrezik jetën e banorëve të mbetur në këtë fshat. Emin Xhetani, 72 vjeç në një prononcim të tij tregon se prej vitesh erozioni ka krijuar probleme të shumta për jetën e banorëve. "Deri në vitet '90-të si kudo edhe në Myzë ishin marrë masa për mbrojtjen e tokës. Deri atëherë lumi i Matit lëvizte në shtratin e tij dhe nuk sillte probleme për jetën e njerëzve. Më vonë nisën problemet. Toka ku ne kishim varrosur prej dekadash njerëzit tanë të afërm nisi të shembej. Kërkuam ndihmë në ish-këshillin e rrethit, komunë dhe prefekturë. Kërkuam fonde për ndërtimin e një argjinature, e cila do të mbronte edhe tokën e varrezave, por nuk morëm përgjigje". Devijimi i shtratit të lumit të Matit vazhdonte të gërryente vit pas viti tokën e varrezave. Në mot me reshje, sidomos në stinën e dimrit toka rrëshqet në lumë, duke marrë me vete edhe varret e njerëzve tanë. Ankesa jonë kishte mbetur pa përgjigje. Plot 30 varre nuk ekzistojnë më, ndërkohë gjysma tjetër është sërish në rrezik. Shumica e familjeve të fshatit Myzë kanë lënë vendlindjen, pasi kanë frikë se toka jo vetëm varret, por mund të rrëmbejë dhe shtëpitë e tyre. Shumë shtëpi janë shembur e të tjera janë plasaritur, duke u bërë të pabanueshme.          h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›