E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, kapen 8 kg heroinë

 

LIBRAZHD/ ALDO KOZARIA

Tre persona u arrestuan dje pak kohë pasi kishin kapërcyer kufirin e Qafë-Thanës me 8 kg heroinë në makinën e tyre. Babë e bir dhe nipi u prangosën në operacionin e koduar "Oktapodi", pa e finalizuar qëllimin e tyre për ta dërguar mallin në Greqi. Pas dy muajsh hetimi nga Drejtoria e Krimit të Organizuar u arrit bllokimi në flagrancë i tre personave nga Librazhdi. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në pranga u vunë Enver Gjura, 66 vjeç, i biri Ermal Gjura, 22 vjeç dhe i nipi Oltion Gjura, po 22 vjeç. Ata kishin udhëtuar dje nga Maqedonia, ku dyshohet se kanë marrë heroinën për ta transportuar atë në thellësi të vendit. Pak kilometra para se të hynin në Librazhd, në afërsi të Hotolishtit, grupi i policisë, i përgatitur për këtë aksion ka bërë ndalimin e mjetit me tre personat brenda tij. Kontrolli i imtësishëm i kryer, në bazë të informacioneve të sakta të marrë nga oficerët e antikrimit në Policinë e Shtetit, ka zbuluar sasinë e drogës, të fshehur në brendësi të mjetit. Bashkë me 8 kg lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë e pastër, policia ka bllokuar dhe sekuestruar dhe pajisje për përzierjen e lëndës narkotike. Dyshohet se pas dërgimit në Librazhd, në pikën e caktuar prej Gjurave, do të bëhej përgatitja e drogës me përzierësit për t'u nisur më tej drejt kufirit jugor. Greqia e më pas tregu perëndimor mendohet se do të ishte destinacioni i heroinës. Ndaj të tre personave rëndon akuza e trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme. Policia bën të ditur se ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë të cilët dyshohen si të implikuar në rrjetin e trafikut. Sipas informacioneve policore, operacioni vazhdon ende për të zbuluar linjën e trafikut të heroinës. Përgjimet telefonike dyshohet se janë çelësi që do të çojë në zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Brenda muajit maj, kjo është sasia e dytë e madhe e lëndëve narkotike, të bllokuara me qëllim trafikimin drejt Greqisë.

Të arrestuarit

Enver Gjura 66 vjeç Ermal Gjura 22 vjeç Oltion Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›