Erozioni bllokon rrugët në disa rrethe
Rrëshqitjet e dherave kanë shkaktuar pasoja në disa qytete të vendit. Kështu, në Durrës, dherat kanë dëmtuar rëndë një shtëpi duke vërshuar brenda saj, ndërsa një tjetër është mjaft e rrezikuar. Në zonën e Currilave, situata gjithashtu është e rënduar dhe vazhdon puna për largimin e dherave që kanë vërshuar mbi banesa dhe lokale, ndërsa rruga është përmbytur nga balta rrëshqitëse që vështirë të kalohet. Ndërkaq, në fshatin Shkallnur të Rrethit të Durrësit dheu ka shembur murin e katit të dytë të një shtëpie katërkatëshe dhe ka vërshuar brenda saj. Ndërkaq probleme ka pasur edhe në rrugën e bregdetit në segmentin e Volloderit, ku masive dherash kanë vijuar të shkëputen nga skarpatet, duke rënë mbi asfalt.
Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë bërë që shumë rrugë rurale në Rrethin e Skraparit, por dhe në Poliçan të bllokohen si pasojë e shkarjes së dherave. Situata paraqitet problematike edhe në Komunën Bogovë, pasi qendra është shkëputur krejtësisht nga fshatrat e saj, për shkak të bllokimit të rrugëve lidhëse. Ndërkohë në fshatin Novaj të kësaj komune, shkolla e fshatit nuk ka mundur t’i hapë dyert dje, për shkak se rrezikon shembjen.
Ndërkohë, prej tri ditësh rruga që lidh Vlorën dhe qytezën e Selenicës është e bllokuar nga rrëshqitjet e dheut në afërsi të vendit të quajtur “Bishti i Malit”. Banorët e Selenicës gjatë këtyre ditëve janë detyruar të udhëtojnë nëpër rrugë dytësore, për të shkuar në Vlorë.
#