E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës e Fier, protesta për zvarritjet në ndërtimin e rrugëve

Dalin në rrugë banorët e Shkozetit dhe punonjësit e firmës që ndërton rrugën Levan-Vlorë

Zvarritjet e punimeve në disa akse nacionale kanë ngjallur reagimin e grupeve të interesit në Durrës dhe në Fier. Kështu në Durrës, dje banorë e biznese kanë protestuar për zvarritjen e punimeve në rrugën e Shkozetit. Gjatë një ore ata kanë bllokuar rrugën, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestës së tyre në rast se ritmi i punimeve në të do të vazhdojë me hapin e breshkës. Rruga është kthyer në një shqetësim serioz që ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës së komunitetit dhe mbarëvajtjen e biznesit të zonës. Në qershor të vitit të kaluar, në prag të zgjedhjeve elektorale, u përurua nisja e punimeve për rehabilitimin e segmentit që lidh Urën e Dajlanit me Shijakun dhe përshkon të gjithë Shkozetin, në bazë të një investimi prej 12,8 milionë eurosh siguruar nga një hua e Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik dhe qeveria shqiptare. Projekti po zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Protestuesit bënë të ditur se do ta vazhdojnë sërish protestën e tyre, duke bllokuar krejt qarkullimin, deri në momentin kur punimet do të lëvizin shpejt dhe me cilësi.
Ndërsa në Fier, mbi 100 punonjës të firmës së ndërtimit “Palmir”, e cila po kryen punimet e autostradës Levan – Vlorë, kanë dalë në protestë paraditen e së martës. Shkak ka qenë moslikuidimi i firmës për punimet e kryera dhe për pasojë edhe punëtorët nuk janë paguar prej tetë muajsh. Protesta ka nisur në mjediset e përfaqësisë së firmës pranë fshatit Levan, më pas mjetet teknologjike dhe punëtorët e firmës janë zhvendosur pranë aksit kombëtar Fier-Vlorë dhe kanë kërcënuar me bllokim të tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›