Mançini, 40 mln euro për Maikon
Roberto Mançini këmbëngul: për të përforcuar Mançester Sitin, trajneri po kërkon me ngulm të blejë Dagllas Maikon. Sipas mediave britanike, “sitizëns” janë të gatshëm të paguajnë një shifër që varion nga 35 deri më 45 milionë euro për mbrojtësin brazilian. Në anën tjetër, zikaltërit edhe mund ta pranojnë një ofertë të tillë: gjatë këtij sezoni, lojtari nuk është paraqitur në nivelet e vitit të kaluar, e në përfundim të kampionatit ai pritet të kërkojë përmirësime të kushteve të kontratës. Gjatë verës që lamë pas, presidenti Morati deklaroi se përpara një oferte të rëndësishme, asnjë futbollist nuk mund të cilësohet i pashitshëm. Kjo u konfirmua me largimin e Zlatan Ibrahimoviç dhe mund të përsëritet me Maikon, pasi oferta është mjaft e mirë në aspektin financiar. Në garën për të siguruar shërbimet e brazilianit 28-vjeçar është edhe Reali i Madridit.
#