E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen në Durrës pa ushqim dhe ujë, 14 marinarë të huaj

Kryemekaniku pëson atak kardiak. Lëshohet alarmi SOS

“Jemi pa para, pa ushqim, pa ujë, pa ngrohje. Kushtet higjienike janë kritike. Ekuipazhi po ngrin nga të ftohtët. Rrezikojmë jetën dhe kërkojmë nga autoritetet portuale të ndërhyjnë sa më shpejt”. Anija e huaj ka lëshuar sinjalin SOS dy herë radhazi, ndërsa protesta detare e nënshkruar nga kapiteni i anijes “Premier” që i përket kompanisë turke “Mareks Shipping” ka mbërritur në tryezën e kapitenit të Portit Detar të Durrësit. Jeta e 14 marinarëve përballet me sfidën e të mbijetuarit në det, vetëm pak kilometra larg kryeqytetit shqiptar, ndërsa njëri prej tyre ka kaluar një infarkt dhe është dërguar në spital. Anija tregtare turke me flamur kamboxhian dhe ekuipazh azerbajxhanas e armen prej një muaji është bllokuar në radën e Portit Detar të Durrësit. Lënia në mëshirë të fatit nga pronari turk, që ka ndërprerë komunikimin me ta dhe nga agjencia shqiptare “Posedion” që i ofronte shërbimet, ka shkaktuar panik tek ekuipazhi i përbërë nga 14 vetë, të cilët kanë lëshuar sinjalin SOS dy herë radhazi. Ekuipazhi ndodhet në vështirësi për furnizimin me ushqim, ndërsa kryemekaniku i anijes ka kaluar një infarkt kardiak dhe është dërguar në spital. Ditën e diel është thirrur autoambulanca për kryemekanikun e anijes, shtetasin Teymurov Teymur, i cili për shkak të situatës që po kalojmë, ka pësuar një goditje në zemër. Kapiteni i Portit të Durrësit, Muharrem Trupja, thotë për “Shqip” se nuk ka ende një bllokim ligjor të anijes, por ajo është vetëbllokuar për shkak të mosshlyerjes së likuiditeteve dhe mungesës së karburantit. Problemet me agjencinë kanë bërë që anijes të mos i hapet drita jeshile më 16 janar, pas shkarkimit të ngarkesës prej 1932 tonë xhamash që solli në Durrës. “Premier” u fut në portin shqiptar më 11 janar dhe nuk mundi më të rinisë lundrimin, ndërkohë që më 21 janar, anijes i ka mbaruar dhe afati i certifikatës së sigurisë në lundrim. Kapiteni Trupja thotë se drejtuesit e anijes “Premier” duhet të ndërmarrin më parë të gjithë hapat e tyre dhe më pas çështja do të përcillet pranë ambasadave dhe autoriteteve përkatëse, duke u nisur nga ambasada e Mbretërisë së Kamboxhias, ajo turke dhe Ministrisë së Transporteve. Kapitenit të anijes dhe katër pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit u është dhënë leja për të dalë në tokë dhe përgatitur dokumentacionin e duhur, korrespondencën me pronarin e anijes dhe njoftuar ambasadat përkatëse për ndihmë lidhur me gjendjen e tyre. Vetëm pas kësaj do të ndërhyhet për t’i siguruar anijes një tjetër agjenci për t’i ofruar shërbime. Dy sinjalet SOS që ka lëshuar anija përkatësisht në datat 4 dhe 11 shkurt janë konsideruar si të papranueshme në bazë të Kodit Detar. Bazuar në këtë kod, anija lëshon sinjalin SOS të ndihmës vetëm kur rrezikohet anija. “Pas dhënies së sinjalit të parë më 4 shkurt ne i tërhoqëm vëmendjen kapitenit azerbajxhanas Israilov Rais, pasi SOS nuk lëshohet kur anija nuk rrezikohet. Kapiteni reagoi pozitivisht, duke kuptuar se ligjet e detit janë të përcaktuara, por më 11 shkurt lëshohet sinjali tjetër që këtë herë deklarohet se ishte dhënë nga pjesëtarë të ekuipazhit pa dijeninë e kapitenit”, thotë Trupja, që së bashku me përfaqësues të policisë së portit dhe të tjerë kanë qenë vetë në bordin e anijes për të parë nga afër situatën dhe vlerësuar gjendjen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›