E Diel, 1 Nëntor 2026

Erozioni i tokës, rrezik shembje banesat në kodrën e Spitallës

DURRËS Dhjetëra banesa në kodrën e Spitallës në Durrës janë në prag të shembjes, duke rrezikuar jetën e njerëzve që banojnë në to. Shkak për shembjen e mundshme të tyre është bërë erozioni i tokës, i cili ka shkaktuar rrëshqitje të shumta dhe plasaritje të shtëpive. Pjerrësia e kodrës në këtë zonë si dhe reshjet e dendura të shirave në muajt nëntor-dhjetor kanë bërë që shumë banesa një dhe dykatëshe të jenë në prag të shembjes së tyre. E gjithë kodra që nis nga zona e Currilave dhe që vazhdon më pas drejt Spitallës dhe që përfundon në Porto-Romano ka probleme të tilla, duke shkaktuar frikë dhe panik te banorët e kësaj zone. Deri tani banorët shprehen se pesë ndërtime të vjetra janë shembur në këtë zonë, për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme të tokës. Në rrezik janë rreth 60 banesa në këtë zonë, të cilat, me këtë fenomen që është shfaqur rrezikshëm këtë vit, mund të lënë dhjetëra persona të pastrehë. Banorët shprehen se rreziku më i madh për jetën e tyre është nata, pasi ata mund të gjenden të papërgatitur dhe shtëpia mund të shembet menjëherë. Për momentin, nga rrëshqitja e tokës dhe shembja e 5 banesave ka pasur vetëm dëme materiale, pasi njerëzit që banonin në to e kanë kuptuar rrezikun dhe janë larguar prej tyre. Beb Prebiba është një banor i kësaj zone, që jeton në këtë vend prej më shumë se 15 vitesh. Ai shprehet se jetojnë në ankth dhe pasiguri, për shkak se toka është duke lëvizur çdo ditë, duke sjellë edhe spostimin e banesës në disa centimetra në drejtim të shembjes së saj. Reshjet e disa ditëve më parë kanë rikthyer frikën te banorët, të cilët nuk kanë asnjë mundësi strehimi për t’u larguar nga ky rrezik. Banesat në fjalë nuk mund të përfitojnë as nga ligji i legalizimit dhe urbanizimit të zonave informale. Aluizni nuk i ka kaluar për legalizim këto banesa pikërisht për këtë arsye që lidhet me rrëshqitjet e tokës. Rrëshqitjet masive të dherave në kodrën e Spitallës duken nga mjaft larg, duke krijuar hendeqe dhe kanale të mëdha në shumë pjesë të saj. Familja Ndoci është ajo që ka mbetur për momentin pa strehim, për shkak se banesa e saj e vjetër u shemb para një muaji. 5 pjesëtarët e kësaj familje jannë strehuar në një barakë të ndërtuar me dërrasa dhe që mbulohet nga një mbulojë plastike. Fëmijët që shkonin në shkollë, tashmë e kanë ndërprerë atë, në përpjekje për të mbijetuar në kushtet e reja kur janë të pastrehë.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›