E Diel, 1 Nëntor 2026

Transportonte marihuanë për në Greqi, ndalohet pasagjeri i autobusit

Jorgo Thimjo, 27 vjeç nga një fshat i Gjirokastrës është arrestuar pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ”trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”

Kakavije Efektivat e Policisë Kufitare në Kakavije kanë ndaluar pasagjerin e një autobusi të linjës Tiranë-Athinë, ndërsa transportonte një sasi lënde narkotike me destinacion shtetin fqinj. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në Policinë Kufitare në bashkëpunim me kolegët e tyre të antidrogës në Policinë e Qarkut, kanë bërë ndalimin e 27-vjeçarit Jorgo Thimjo, lindur dhe banues në fshatin Labovë e Vogël të rrethit Gjirokastër, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ”trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. I ndaluari, i cili jetonte prej vitesh si emigrant në ishullin e Kretës, Greqi, është ndaluar nga blutë e Kakavijes ndërsa transportonte si pasagjer me një autobus udhëtarësh 1.5 kilogramë marijuanë. Kanë qenë shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijes, të cilët orët e para të ditës së martë, gjatë një kontrolli të ushtruar në bagazhet e dorës, në autobusin e linjës Tiranë –Athinë, kanë konstatuar në njërën prej çantave, një pako në formë të çrregullt, e mbështjellë me letër natriban. “Gjatë kontrollit dhe gjetjes së çantës ne dyshuam se bëhej fjalë për një rast të trafikut të drogës me destinacion Greqinë, duke përdorur autobusët e udhëtarëve”, thonë burime në policinë kufitare të Kakavijes. Pasi kanë bërë bllokimin e autobusit dhe kanë nisur hetimet e para, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në Policinë Kufitare të Gjirokastrë kanë konstatuar se çanta në të cilën u zbulua sasia e drogës i përkiste 27-vjeçarit Thimjo që udhëtonte si pasagjer në autobus. Në këtë situatë, në mbështetje të bluve të kufirit, janë vendosur edhe kolegët e tyre të antidrogës së Gjirokastrës. “Grupi hetimor ka konstatuar se në pakon e gjetur në çantën e 27-vjeçarit Thimjo kishte lëndë narkotike, të presuar në formë çokollate, të dyshuar si marijuanë, e cila në total kapte shifrën e 1 kilogram e 500 gramë”, thonë burime në grupin hetimor. Pasi është shoqëruar në ambientet e policisë lokale, i dyshuari i ka pohuar grupit hetimor se sasinë e marijuanës e kishte blerë në Tiranë, kundrejt një pagese prej 400 euro dhe do ta çonte në Greqi. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër po bashkëpunojnë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për identifikimin dhe ndalimin e personit që ka shitur sasinë e drogës.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›