E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyp 66-vjeçarin, pas një sherri për gërvishtjen e makinës

Autori i aksidentit donte të hakmerrej me të riun që ishte konfliktuar për gërvishtjen e makinës. Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i ngjarjes

VLORË Gërvishtja e makinës është bërë shkaku i një sherri, me pasojë vdekjen e një të moshuari. Në fakt, viktima është gjendur rastësisht në momentin e zënkës mes të rinjve, pasi njëri prej tyre, pasi ka dashur të lëvizë makinën, e ka çuar mjetin në drejtim të turmës me njerëz. Ngjarja aspak e zakonshme ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Gjorm të rrethit të Vlorës. Dy të rinj të këtij fshati, pasi kanë goditur makinat me njëri-tjetrin, pa ndonjë dëm të konsiderueshëm, kanë debatuar ashpër për këtë aksident, duke fajësuar njëri-tjetrin. Në diskutim e sipër, të cilat janë ashpërsuar duke kaluar në sharje dhe fyerje një nga të rinjtë ka marrë automjetin dhe ka goditur në shpejtësi e sipër një grup njerëzish, ku nga ky reagim i beftë, është goditur me pasojë vdekjeje një 66-vjeçar, banor i këtij fshati.

Dëshmitarë në vendngjarje kanë pohuar se gjithçka ka ardhur nga fërkimi i dy automjeteve, ku drejtuesit kanë dalë të nxehur. Siç bëhet me dije në këtë situatë janë përfshirë Ruku Arshiaj, 25 vjeç nga Gjormi dhe Jeto Madani, 28 vjeç, po nga ky fshat. Ata kanë gërvishtur automjetet në një kthesë të këtij fshati, duke u grindur më pas me fjalë dhe sharje. Pasi kanë debatuar për më shumë se një orë, se i kujt ishte faji, 25-vjeçari ka marrë makinën dhe është larguar nga vendngjarja për t’u kthyer sërish, por kësaj radhe për të marrë hak ndaj të riut tjetër, të cilin e akuzoi për gërvishtjen e makinës. Ai i është drejtuar me shpejtësi drejt të riut, që ka qenë së bashku me një grup bashkëfshatarësh, në qendër të fshatit. Nga goditja që ky i ka bërë turmës së mbledhur në qendër të fshatit, ka gjetur vdekjen 66-vjeçari, Luftar Shenaj, si dhe është plagosur rëndë një tjetër banor, i po këtij fshati, 25-vjeçari Rrushan Ajazi, që ndodhet në spitalin rajonal të Vlorës, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë në fshatin Gjorm të Vlorës janë nisur forcat policore të rendit, si dhe ato rrugore. Ruku Arshiaj, i cili ka goditur me automjet për t’u hakmarrë dhe ka shkaktuar vdekjen e një personi, si dhe plagosjen e një të riu, është larguar nga vendngjarja dhe po kërkohet nga policia, për vrasje me dashje të një personi si dhe plagosjen e një tjetri.

Disa ditë më parë, në një fshat të Durrësit, një i ri teksa ishte duke bërë manovra me makinën e tij, goditi një grup tregtarësh të makinave që ndodheshin në anë të rrugës. Për pasojë të kësaj përplasjeje, humbën jetën dy persona ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›