Plagoset në aksident punonjësi i policisë
FIER Një efektiv i policisë kufitare të Drejtorisë së policisë të qarkut Fier, është duke luftuar me vdekjen, pas një aksidenti të rëndë automobilistik, që ndodhi pasditen e së martës në aksin rrugor Fier- Seman. Tafil Gashi, kështu quhet personi që punon në radhët e bluve fierakë, i cili është plagosur rëndë, teksa udhëtonte me një mjet tip benz, me targa të huaja RL51NEF. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:00, në vendin e quajtur “Kthesa e Qënasit”, në rrugën nacionale Fier-Seman. Tafil Gashi, duke drejtuar mjetin tip Benz, është përplasur me pjesën fundore të një mjeti tip Kamioçinë, me targa të rrethit Fier, FR5230B. Kjo e fundit e ngarkuar me bar të tharë, ushqim për blegtorinë, kishte ndalur në anë të rrugës së sipërcituar. Autovetura tip benz e ka goditur atë në pjesën fundore. Goditja ka qenë tepër e fortë. Si pasojë, mjeti tip kamioçinë është rrotulluar dhe ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës. Fatmirësisht, drejtuesi i kamionçinës ka qenë duke blerë disa pjesë ndërrimi, te një pikë servisi aty pranë. Ndërsa mjeti tip Benz është shkatërruar plotësisht, në pjesën e përparme të tij. Drejtuesi i mjetit nuk ka arritur të manovrojë e të shmangë aksidentin. Airbegët e mjetit janë hapur dhe kanë arritur të mbrojnë drejtuesin Gashi, por përplasja e fortë i ka shkaktuar atij plagë të rënda në kokë. Dëshmitarë në vendngjarje i kanë dhënë dhe ndihmën e parë të plagosurit, duke e dërguar në spitalin civil të qytetit Fier. Sakaq, policia rrugore ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke bërë dhe disiplinimin e trafikut dhe lëvizjes së mjeteve. Burime nga policia rrugore thanë paraprakisht se shkak i aksidentit mund të jetë manovrimi i gabuar i drejtuesit të mjetit Benz, si dhe shpejtësia e madhe e lëvizjes së tij. Ndërkohë, që bluzat e bardha të qytetit të Fierit, pas ndihmës së parë mjekësore që i dhanë të plagosurit, e kanë nisur atë në drejtim të Spitalit Ushtarak në kryeqytet, pasi gjendja shëndetësore e të aksidentuarit është e rëndë. Në muajin janar të këtij viti, në rrethin Fier, gjetën vdekjen katër shtetas ndërsa u plagosën tetë të tjerë.