E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensioni në Egjipt, evakuohen 20 oficerë policie e 180 qytetarë

Situata e tensionuar e ditëve të fundit në Egjipt ka detyruar Ministrinë e Brendshme, që të tërheqë nga ky shtet 20 efektivë policie, të cilët po trajnoheshin në këtë vend, si dhe rreth 80 qytetarë shqiptarë që ndodheshin aty. “Ministria e Brendshme ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar ditët e fundit në Egjipt, për shkak të zhvillimit të protestave, në disa nga qytetet kryesore të këtij vendi. 20 oficerë të Policisë së Shtetit ndodhen aktualisht në Egjipt, për të kryer një trajnim në kuadër të programeve të trajnimit, që zhvillohen rregullisht nga Policia e Shtetit në këtë vend. Një numër i konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë ndodhen gjithashtu në Egjipt, për arsye të ndryshme biznesi, turizmi etj. Për të shmangur rreziqet që mund të paraqiten nga një tensionim i mëtejshëm i situatës, Ministria e Brendshme ka vendosur evakuimin e menjëhershëm të 20 oficerëve të Policisë së Shtetit, si dhe do t’u mundësojë evakuimin ditën e sotme rreth 80 qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Egjipt” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Udhëtimi i këtyre personave, nga Kajro në Tiranë, është kryer nga një avion i posaçëm, i cili mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 16:00 të ditës së djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›