E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti vjetor, PD-PS debate në KQZ

Vlerësimi

Ndasitë politike mes anëtarëve të KQZ-së u rikthyen sërish dje në diskutimin mes anëtarëve të këtij institucioni për raportin vjetor të vitit të shkuar. Anëtari Artan Laze, përfaqësues i Partisë Socialiste, bëri disa propozime që, sipas tij, duhet të përfshiheshin në raport në formën e një autokritike. Sipas Lazes, KQZ-ja duhet të pranojë se pati probleme në menaxhimin e situatës për disa faza të procesit zgjedhor. Deklarata u kundërshtua ashpër nga kryetari i KQZ-së, i cili përmes këtij raporti ka vlerësuar si mjaft profesionale punën e këtij institucioni. Laze u ndal gjatë te problemet e ambienteve private për qendrat e votimit. Por, sipas Ristanit, një fenomen i tillë vihet re në të gjithë botën, pasi ambientet shtetërore nuk janë të mjaftueshme për proceset zgjedhore dhe lind nevoja për ambientet private. “Nuk mund t’i çojmë Kuvendit të tilla gjëra për sa kohë një problem i tillë vihet re në gjithë botën dhe ambientet private janë përdorur dhe në zgjedhjet e tjera, pasi shteti i ka lëshuar asetet e veta”, tha Ristani. Anëtari socialist është përqendruar te mospranimi që i është bërë kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërim të votave, pikë e cila nuk është reflektuar në raport. Por edhe për këtë vërejtje Ristani ka kundërshtuar, duke u shprehur se “një vendim i tillë është absurd. Për këtë ka folur qartë Kolegji Zgjedhor”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›