E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja, 1.2 milion qese pushtojnë çdo ditë vendin

Çdo ditë, Shqipëria pushtohet nga 1.2 milion qese plastike, ndotje kjo shumë herë më e lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit, që kanë edhe një numër disa herë më të madh banorësh. Në këto kushte, Shqipëria është klasifikuar si vendi me përdorimin më të madh të qeseve plastike për frymë në Europë dhe të dhënat jozyrtare flasin për rreth 1.2 milion qese të llojeve të ndryshme që përdoren çdo ditë në Shqipëri. Ekspertët tregojnë se plastika e dekompozuar në ujë dhe në tokë po dëmton rëndë ekosistemin, por edhe gjallesat. “Kemi gjetur një mënyrë të thjeshtë për zhdukjen e qeseve plastike, duke i djegur ato, ndërkohë që tymrat që çlirohen janë kancerogjene. Lënia e tyre në tokë është shumë e dëmshme gjithashtu”, - thotë eksperti Zamir Dedej. Përpos ndotjes, qeset e patjetërsueshme që përdoren çdo ditë kanë shkatërruar mjedisin, duke veshur shtretërit e lumenjve dhe pemët në të gjithë vendin. Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve, në Ditën Botërore të Tokës shpalli një fushatë për marrjen e nismave të reja ligjore për të kufizuar përdorimin e këtij produkti. “Jemi këtu sot, për të nisur një fushatë sensibilizimi politik dhe publik, për të çuar në ndërmarrjen e masave ligjore për të kufizuar përdorimin e qeseve plastike. Ne duam të kemi një republikë turistike, por nuk mund ta kemi në një mbretëri me qese plastike”, - u shpreh Mentor Kikia, përfaqësues i Korpusit të Vullnetarëve. Kjo nismë është mbështetur edhe nga përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë. “Çështje të tilla kanë nevojë për ndërgjegje qytetare dhe për politika më të forta për të mbrojtur ambientin nga dëmtimi”, - pohoi deputeti demokrat Selami Xhepa. “E gjithë kjo pamje është produkt i yni dhe është produkt i politikës sot. Çdo njeri mund të bëjë shumë për ta përmirësuar këtu. Duhet të angazhohemi për të luajtur rol në përmirësimin e kësaj situate”, - u shpreh deputet socialist Besnik Bare. Sikurse ndodh në aktivitetet kulturore, ndotja e mjedisit, një nga çështjet më të ndjeshme për shoqërinë, ka mbledhur dje personalitete të artit, kulturës dhe letërsisë, si regjisori Vladimir Prifti, aktorët Mirush Kabashi, Merkur Bozgo e Sokol Angjeli, shkrimtari Zija Çela, të cilët iu bashkuan apelit publik për ndalimin e këtij fenomeni, mbi të gjitha i dëmshëm për shëndetin e gjithsecilit. Në shumë vende të Europës, por edhe të rajonit, përdorimi i qeseve plastike është kufizuar ose ndaluar, duke u zëvendësuar me ambalazh letre apo me material tjetër shumëpërdorimesh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›