E Shtunë, 31 Tetor 2026

Errësira, dëbora dhe i ftohti mbërthejnë Veriun

Vazhdon të mbetet problematike situata në zonat e thella malore të Qarkut të Shkodrës. Temperaturat e ajrit kanë zbritur deri në -4 gradë Celsius dhe këto temperatura janë shoqëruar me reshje të dendura bore në zonat e thella malore. Kjo situatë ka krijuar mjaft probleme në izolimin e zonave të ndryshme, vështirësitë në lëvizje dhe ndërprerje të theksuar të energjisë elektrike.

Konkretisht në Rrethin e Shkodrës situata më e rënduar ka qenë në zonë e Dukagjinit, ku reshjet e dëborës kanë arritur deri në 40 cm dhe disa segmente të kësaj rruge si Mali i Shoshit dhe Qafa e Thores kanë qenë të pakalueshme, ndërsa në pjesët e tjera të rrugës është dashur të lëvizej vetëm me zinxhirë.

Në Rrethin e Malësisë së Madhe, reshjet e dëborës në Komunën e Kelmendit kanë bërë që disa akse rrugore në zonën e Vermoshit të bëhen të pakalueshme, pasi trashësia e dëborës ka arritur deri në 50 cm dhe vazhdon të bjerë. Situata më shqetësuese në këtë zonë është te rrugët rurale që lidhin fshatrat me komunat, ku aktualisht pjesa më e madhe e tyre janë të pakalueshme.

Në Rrethin e Pukës dhe komunat e thella malore të këtij rrethi reshjet e dëborës kanë qenë më problematike se në asnjë zonë tjetër të Qarkut të Shkodrës. Për rrugën nacionale Shkodër - Pukë është këshilluar që të përdoren zinxhirët, ndërsa në Komunën e Iballës, në kufi me Tropojën, reshjet e dëborës që kanë arritur në 60 cm i kanë bërë të pakalueshme të gjitha rrugët duke izoluar banorët. Në këtë zonë, nga dëbora është shembur edhe një banesë e amortizuar, ku jetonte një familje me gjashtë persona, të cilët fatmirësisht nuk janë dëmtuar. Një komunë tjetër problematike në Rrethin e Pukës është dhe Komuna Fierzë, ku reshjet e dëborës kanë izoluar disa fshatra të thellë. Ndërkohë, nga drejtuesit e Qarkut të Shkodrës mësohet se në akset kryesore nacionale, siç është rruga Shkodër-Pukë dhe Pukë - Fushë-Arrës, apo në disa akse të tjera në Dukagjin dhe Vermosh, janë hedhur skorie dhe po mbahet kontakt i vazhdueshëm me drejtuesit vendorë të të gjitha komunave të thella malore të qarkut. Nga zyra e emergjencave civile bëhet e ditur se asnjë aks kryesor nacional nuk është i bllokuar, por ka segmente që kalohen me tepër vështirësi dhe duhen përdorur zinxhirë.

Situata ka qenë e vështirë dje edhe për disa zona të thella malore në Kukës. Në këtë qark ka pasur bllokime të rrugëve rurale në zonat e thella, ndërkohë që probleme ka pasur edhe në rrugën nacionale, në afërsi të qafës së malit. Burime nga policia rrugore e Kukësit bënë me dije dje pasdite, nga ora 15:00 deri në 17:00, se për shkak të shkarjeve të dheut dhe dëborës ka pasur një bllokim të rrugës në Qafën e Shllakut, ku dhjetëra automjete janë detyruar të presin në radhë.

Ndërkohë, situata është përmirësuar në rrugët e Qarkut të Korçës, të cilat u bllokuan disa herë gjatë ditës së shtunë. Pastrimi nëpërmjet borëpastrueseve dhe hedhja e vazhdueshme e skorieve ka mbajtur të hapura dhe të kalueshme të gjitha akset nacionale dhe ato rurale në juglindje të vendit. Temperaturat, edhe pse të ulëta, nuk kanë çuar në shtimin e reshjeve të dëborës, të cilat kanë qenë minimale.

Rreziku

Aksidente të shumta pa viktima në rrugët malore të veriut

Ngricat kanë shkaktuar probleme dje në disa akse rrugore në veri të vendit. Në rrethet Pukë dhe Kukës janë shënuar dje disa aksidente, që fatmirësisht nuk kanë shkaktuar viktima. Një furgon pasagjerësh për pak sa nuk përfundoi në humnerë, pasi është përplasur me një veturë me targa të huaja në rrugën e vështirë që lidh Kukësin me pjesën tjetër të vendit. Ndërkohë, në segmentin rrugor Qafë Mali-Fierzë, një veturë me traga Tirane, edhe pse e pajisur me zinxhirë, ka dalë nga rruga duke rrezikuar të binte në humnerë. Mjeti që lëvizte në drejtimin Bajram Curri - Pukë ishte pjesë e një vargani dasmorësh. Rrëshqitje të tjera automjetesh dhe dalje jashtë rruge janë shënuar edhe në segmentet e tjera rrugore të Pukës dhe Kukësit, por fatmirësisht të gjitha kanë qenë pa dëme në njerëz. Policia e Qarkullimit Rrugor ka asistuar në të gjitha ngjarjet aksidentale që janë regjistruar në rrugët e rretheve veriore. Shërbimet e policisë rrugore janë përqendruar në Qafën e Malit, ku rruga është e kalueshme me vështirësi për shkak të borës dhe ngricave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›