Luhatjet e tensionit dëmtojnë pajisjet elektroshtëpiake
Banorët e Fierit nuk po vuajnë vetëm mungesën e gjatë të energjisë elektrike, por edhe pasojat e shkaktuara nga ato pak orë kur energjia vjen. Gjatë 24 orëve të fundit, energjia për të gjithë zonën energjetike të Fierit ka ardhur vetëm 7 orë, por edhe gjatë kësaj kohe ka pasur luhatje të mëdha tensioni, që kanë shkaktuar dëmtimin e aparaturave elektroshtëpiake. Sipas të dhënave zyrtare që vijnë prej degës së shitjes në Filialin e OSSH-së së Fierit, ka pasur ankesa të shumta nga qytetarët. Mësohet se mjaft aparatura elektroshtëpiake janë djegur nga ulja e menjëhershme e tensionit. "Na u dogjën televizorët në të gjithë lagjen. Ra tensioni menjëherë rreth orën 21:00 të mbrëmjes së të shtunës", tregon Esma Likaj, një banore e lagjes "15 tetori" të Fierit. "Brenda tre muajsh dy herë është përsëritur rënia e tensionit menjëherë dhe në të dyja herët neve na janë djegur televizorë, lavatriçe e frigoriferë", thotë Sajmir Levendi, një tjetër banor i kësaj lagjeje. Ndërkohë që pompat e ujit të pothuaj gjithë pallateve të ndërtuara vitet e fundit janë djegur. Si pasojë e djegies së aparaturave me energji, pikat e servisit të qytetit janë përballur gjatë së dielës me kërkesa të shumta për riparim televizorësh, frigoriferësh, lavatriçesh e aparaturash të tjera. Gjithashtu, një numër i madh banorësh, kryesisht të pallateve të reja, ka mbetur pa u furnizuar me ujë, për shkak të djegies së pompave. Filiali i OSSH-së së Fierit pranon dëmet e shkaktuara nga luhatjet e tensionit, por sipas drejtorit Arqile Kume, nuk do të ketë dëmshpërblime.