LSI: Nuk do të lejojmë funksionimin e Parlamentit
Kryesia e LSI ka vendosur fillimin e një reagimi mbarëpopullor shumë të ashpër dhe të pandalshëm, deri në rivendosjen e legjitimitetit të votës së lirë dhe demokracisë në vend. Reagim ky që, përveç protestave në rrugë, do të shoqërohet edhe me protesta në sallën e Kuvendit, për të penguar miratimin e kodit të ri zgjedhor. Ky vendim është bërë publik dje nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cili, gjatë një konference për shtyp, ka theksuar se LSI-ja ka vendosur t‘i japë fund komplotit të organizuar nga Berisha dhe Rama për të manipuluar votën e shqiptarëve dhe për të përjashtuar LSI-në nga procesi i administrimit dhe numërimit të votave dhe vjedhjen e tyre në tavolinë, ashtu siç bënë edhe më 3 korrik 2005. Sipas Vasilit, Kryesia e LSI-së ka vendosur thirrjen e Konventës së Jashtëzakonshme të hënën, në ora 12, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. "Kryesia e LSI-së mbështeti plotësisht aksionin shumë të rëndësishëm politik të LRI, për sensibilizimin e përfaqësuesve më të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të gjithë veprimet e mëtejshme, që do të ndërmarrë LRI në funksion të votës së lirë", është shprehur Vasili. Duke vënë në qendër të akuzave kryetarin e PS-së, Rama dhe Kryeministrin Berisha, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Vasili, është shprehur se "këta dy fashistë dhe diktatorë si dhe kasta që ata përfaqësojnë le ta dinë sot se ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyre funksionimin e atij parlamenti që, pasi zhbëri Kushtetutën, kërkon sot të zhbëjë edhe votën e shqiptarëve dhe as plumbat e dhuna e tyre nuk na ndalin dot, po jua përsëris as plumbat e tyre nuk kanë për të na ndalur dot". Ne, tha Vasili, jemi dhe do të jemi absolutisht të palëkundur, shumë të vendosur dhe pa kthim prapa në të gjithë veprimin dhe aksionin tonë të jashtëzakonshëm politik, sepse në këtë mënyre jemi të bindur se i bëjmë një shërbim të madh për sot dhe për gjithë vitet që do të vijnë, jo LSI, por Shqipërisë dhe shqiptarëve, i bëjmë një shërbim shumë të madh votës së lirë që është themeli i demokracisë, i bëjmë shërbim qetësisë dhe rendit ligjor të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, i bëjmë shërbim kauzës së shembjes së kastës kriminale që ka zëne për gryke jetën e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Duke e vlerësuar si komplot bashkëpunimin e Ramës dhe të Berishës, funksionari i LSI-së ka theksuar se "ky është sot një rrezik shumë i madh real kundër demokracisë, e cila është goditur në zemër si dhe kundër të gjithë shqiptarëve, sepse ka vetëm një synim: konsolidimin e një kaste politike mafioze me dy koka". LSI-ja duket shumë e vendosur në qëndrimin e saj, ndaj dje sekretari i Përgjithshëm, Vasili, ka paralajmëruar për herë të fundit Edi Ramën "njeriun e pabesë, këtë dhunues të njohur, që pasi betonizoi çdo metër katror të Tiranës, pasi plaçkiti parqet e fëmijëve dhe i ktheu ato në pallate, pasi shqeu e degjeneroi Kushtetutën, pasi asgjësoi edhe klubet sportive dhe çdo gjë të mirë për rininë e kryeqytetit, që të largojë duart e pista nga vota e shqiptarëve, se fundi i tij do të jetë shumë i keq dhe as arratisja nga Shqipëria nuk do t‘i zgjidhte punë". Pjesë e këtij paralajmërimi të LSI-së ka qenë edhe Kryeministri Berishën, që, sipas tyre, është "njeriu që vodhi votat e shqiptarëve në 1996, njeriun që vodhi paratë e tyre në 1997 me piramidat e tij shkatërrimtare, njeriun e Gërdecit, njeriun që ka djegur Shqipërinë anë e mbanë, të mos guxojë të prekë përsëri votën e shqiptarëve, se fundi i tij do të jetë shumë i keq". Gjithashtu, LSI-ja ka paralajmëruar edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar se Shqipëria gjendet në momentin më të rrezikshëm të saj në këto 18 vjet pluralizëm, se po projektohet komploti dhe vjedhja më e madhe e votës, se po instalohet diktatura fashiste e dy të papërgjegjshmëve, Berisha e Rama, dhe se komuniteti ndërkombëtar ose duhet të ndërhyjë sot, se nesër do të jetë shumë vonë dhe Shqipëria do të futet në një kaos e destabilizim më të rëndë se ai i vitit 1997.