Pronat, 5 milionë dollarë do të shpërndahen të hënën
Të hënën nis shpërndarja e fondit 5 milionë dollarë për kompensimin e pronarëve. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka vendosur për afatet e ndarjes së parave dhe çmimet, me të cilat vlerësohen trojet. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë ditën e hënë procesin e pranimit të kërkesave të ish-pronarëve për të përfituar nga kompensimi financiar. Çmimet e tokës për kompensim do të jenë ato të miratuara në shkurtin e këtij viti nga qeveria, ndërsa në garë do të jenë subjektet nga të gjitha zonat, ku janë miratuar çmimet. Ndërkohë, ende nuk është vendosur nëse do të ketë një shpërndarje të fondit sipas qarqeve, apo përzgjedhja e përfituesve do të dalë nga një renditje në total të aplikuesve. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për vitin 2008, procedurat do të jenë pothuajse të njëjta si për vitin e shkuar. Ndryshon fakti se ndryshe nga më parë përfituesit e kompensimit shtrihen në gjithë vendin. Vjet kanë qenë vetëm disa qarqe, ndërsa këtë herë do të kemi përfshirjen e gjithë zonave, ku është miratuar harta e çmimeve. Për sa i përket pjesës së procedurave duhet të aplikohet pranë zyrës qendrore. Secili aplikues duhet të ketë një kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit të Pronave, së bashku me plan-vendosjen e pronës. Duhet të ketë aktin e trashëgimisë si dhe një prokurë të përfaqësimit për personin që do të ngarkohet nga gjithë përfituesit për të ndjekur procedurën. Pas urdhrit të Këshillit të Ministrave, AKKP-së sqaron se në muajin dhjetor do të mbyllet i gjithë procesi i kompensimit nga fondi 5 milionë dollarë. Hapi i parë është verifikimi i gjithë vendimeve dhe më pas vlerësimi ligjor i secilit vendim të paraqitur prej aplikuesve, i cili duhet të përmbushë dhe kriteret e përzgjedhjes. Personi ose subjekti i shpronësuar duhet të mos ketë përfituar më parë. Prona që do të kompensohet do të jetë vetëm truall dhe jo tokë bujqësore. 200 metra katrorë është sipërfaqja për të cilën do të kompensohet, sipas një marrëveshjeje mes agjencisë së pronave. Klasifikimi vendoset sipas rendit kronologjik të datës së vendimeve. Dhe në këtë mënyrë do të renditen të tërë aplikuesit. Derisa të arrihet shuma do të vendoset dhe viza për pranimin e kërkesave. Duhet theksuar se çmimet janë variabël. Ndaj, duke qenë se çmimet ndryshojnë, atëherë dhe këto vlera sipas metodikës janë të ndryshueshme. Ndaj dhe procesi i rishikimit të vlerave nuk është një proces që nisi këtë vit dhe mbyllet aty, por është i vazhdueshëm.