E Diel, 1 Nëntor 2026

Tare, debat në fushë dhe "live" në TV me Spaletin

Igli Tare vazhdon të bëhet protagonist te Lacio. Edhe pse është tërhequr nga futbolli i luajtur përpara një viti, ish-sulmuesi i Kombëtares gjen mënyrën (për miqtë apo për keq) që në Itali të flitet për të. Në Serinë A, dita e djeshme duhej të ishte ajo e solidaritetit për viktimat e tërmetit në Abruco, por ndeshjet janë shoqëruar nga tensioni në fusha. Episodet më të "nxehta" u regjistruan në Romë, gjatë dhe pas derbit Lacio-Roma, ku problemet në fushë u pasuan nga përplasjet mes tifozëve jashtë stadiumit dhe Firence, ku disa lojtarë të Fiorentinës goditën futbollistin e Kaljarit, Lopez.

Episodi

Por, të kthehemi te Tare. Derbi i kryeqytetit italian, i fituar 4-2 nga bardhkaltërit nuk ka kaluar pa probleme. Sfida përfundoi përpara kohe për shqiptarin 35-vjeçar dhe trajnerin e Romës, Luçiano Spaleti. Në pushim të ndeshjes, ata janë larguar me karton të kuq nga gjyqtari Morganti. Zanafilla e konfliktit ishte një penallti e paakorduar nga "bilbili", pas faullit të Lihtshtejner ndaj Baptistas në zonë. Ky ishte katalizatori i përplasjes ndërmjet Spaletit dhe arbitrit nga Askoli në dhomat e zhveshjes, që mori përmasa edhe më të mëdha me ndërhyrjen e drejtuesit të Lacios, Igli Tare.

Përballja

Polemika ndërmjet ish-kapitenit kuqezi dhe trajnerit ka vazhduar në televizion, gjatë një lidhje direkte në "Sky Sport 1". Spaleti deklaroi: "Në pushim të ndeshjes shkova të bisedoja me gjyqtarin sepse nuk akordoi një penallti për ne. Mund të kujtoj se një vit më parë Morganti i dha Lacios 11-metërsh për të njëjtin episod dhe Huan u largua nga fusha me karton të kuq. Në ato momente Tare erdhi për t‘u bërë pjesë e bisedës dhe i thashë që ai nuk kishte punë. Më pas, (gjyqtari) Morganti na nxori me të drejtë kartonin e kuq për të dy. Tare nuk e dinte se çfarë po diskutoja me arbitrin". Ish-sulmuesi i Lacios, tashmë menaxher skuadre jep versionin e tij të ngjarjes: "Pashë se të gjithë lojtarët e Romës, me Spaletin në krye, po ankoheshin te gjyqtari. I thashë trajnerit ‘kjo nuk është sjellje korrekte‘ dhe ai m‘u përgjigj me fjalë aspak miqësore dhe prej aty lindën polemikat".

Frazat

Fillimisht Spaleti nuk dëshiron të tregojë se çfarë u tha dhe Tare e "provokon": "Nuk je burrë nëse nuk thua të vërtetën!". "M‘u afrove duke më drejtuar gishtin dhe të thashë që ta fusje në ndonjë vend tjetër", u përgjigj trajneri verdhekuq. "Ti erdhe nga 20 metra distancë dhe je një gënjeshtar, pasi pranë Morgantit ndodhesha vetëm unë dhe nuk kishte asnjë lojtar. Më pas i dhamë dorën njëri-tjetrit, e të pranishëm ishin dhjetë persona".

Debati televiziv Tare-Spaleti

Tare: Kur u mbyll pjesa e parë dhe skuadrat hynë në dhomat e zhveshjes, të gjithë lojtarët e Romës shkuan të ankoheshin te gjyqtari. U afrova aty dhe thashë se kjo nuk ishte e drejtë. Më pas, zoti Spaleti m‘u përgjigj në mënyrë pak a shumë miqësore. Trajner (duke iu drejtuar Spaletit), nëse je burrë trego çfarë më the në të vërtetë, kam shumë dëshmitarë që mund ta vërtetojnë

Spaleti: Të thashë ta fusje gishtin në ndonjë vend tjetër. Më pas erdha të të jepja dorën dhe të kërkoja falje

Tare: U afrova sepse kam qenë futbollist dhe i kuptoj disa gjëra. Gjithsesi, për mua ky episod përfundon me kaq

Spaleti: Je ti ai që po e zgjat. Dëshmitarë nuk kishte, sepse ishim vetëm ne të dy dhe nuk është e vërtetë që aty ndodheshin edhe lojtarët e mi. Pavarësisht kësaj, edhe unë mendoj se kjo çështje duhet mbyllur këtu



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›