Ervin Skela golashënuesi më i mirë i Cottbus

Tashmë është shëndrruar në një goleador. Ervin Skela ka shënuar 7 gola në këtë sezon me Energie Cottbus dhe aktualisht është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Futbollisti shqiptar renditet i 23-ti në listën e përgjithshme të golashënuesve të Bundesligës, dhe kjo nuk është një gjë e vogël për një futbollist që luan në pozitën e mesfushorit. Pikërisht në këtë kategori fantazisti i kombëtares shqiptare aktualisht renditet ndër më të mirët e Bundesligës, pasi nga radhët e mesfushorëve ai është golashënuesi i pestë i Bundesligës, duke pasur përpara disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit gjerman. Janë vetëm Mladen Petric, Diego, Van der Vaart dhe Zvjezdan Misimovic ata që kanë shënuar më shumë se Skela në këtë sezon, ndërkohë që Franck Ribery i Bayern Munich ka shënuar aq sa edhe Skela në këtë sezon.
Edhe nga radhët e futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në kampionatet evropiane përsëri Skela është ndër më të suksesshmit. Vetëm Hamdi Salihi që luan me Ried ka shënuar më shumë (12 gola në kampionatin austriak), ndërkohë që sulmuesit si Bogdani, Kapllani, Tare apo ndonjë tjetër janë shumë larg këtyre shifrave.
Një Ervin Skela i ripërtërirë është lajmi më i mirë për tifozët e kombëtares shqiptare. Një Skela si në kohën kur luante me Eintracht Frankfurt (apo ndoshta edhe më i mirë) është një armë më shumë për trajnerin Arie Han, ndërsa përfundimi i këtij sezoni mund t'i sjellë edhe oferta nga skuadra më të mëdha se Energie Cottbus. Të lumtë Ervin.