Ervin Skela i "shkel" syrin Këlnit
Ervin Skela lëshon sinjale për drejtuesit e Këlnit, skuadër që në sezonin e ardhshëm do të luajë në elitën e futbollit gjerman. Pas miqësores, që të besuarit e teknikut Zvonimir Soldo zhvilluan me Koblencin (ku shqiptari po stërvitet në pritje të transferimit te një ekip i ri), fantazisti kuqezi u shndërrua në analist. Edhe pse "i fshehur" së bashku me menaxherët në një prej kabinave të transmetimit, prezenca e 32-vjeçarit nuk kaloi pa u vënë re. Ai foli për paraqitjen e Këlnit, duke theksuar se atyre u mungon një mesfushor cilësor. "Nuk mund të them se sa të lodhur ishin lojtarët prej fazës përgatitore, por kjo nuk është mënyra për të ecur përpara", tha Skela. Edhe trajneri Soldo mendon se nevojitet afrimi i një lojtari me tipare ofensive: "Do të ishte vetëvrasje po të paraqitemi kështu në kampionat". Fantazisti është kërkuar me ngulm edhe nga ish-lojtari i Bajernit, Lukas Podolski. Skela tha: "Ishte shumë i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës". Ndoshta lojtari i Kombëtares do të ishte elementi që i mungon mozaikut…