E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasagjerët nuk konfirmojë kontrollet e shëndetësisë

Çdo ditë nga porti detar më i madh në vend, ai i Durrësit, hyjnë rreth 3 mijë persona dhe numri i tyre pritet të rritet në fundjavë. Ditën e djeshme, një pasagjer i mbërritur në Durrës me tragetin e linjës Bari-Durrës u shoqërua për në spital me autoambulancë pas kontaktimit nga ekipi i shërbimit epidemiologjik të portit. Pasagjeri vuante nga një formë e kancerit të lëkurës dhe pati nevojë për ndërhyrje mjekësore. Ndërkaq, të sapozbarkuar nga tragetet e linjave detare Bari-Durrës mëngjesin e djeshëm, pasagjerët pohojnë se nuk janë kontaktuar nga personeli shëndetësor i tragetit apo portit në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore, apo vendet nga vijnë. Ndërkohë, shefja e sektorit të epidemiologjisë në Autoritetin Portual Durrës, Liljana Olldashi, pas daljes nga trageti, ku pati edhe një urgjencë mjekësore, thotë se monitorimi i tyre është i vazhdueshëm dhe se deri më tani nuk ka pasur raste me simptoma të gripit të derrave. Kontrollet janë të vazhdueshme dhe kontaktet e para janë me mjekun e çdo trageti që i ka ndjekur përgjatë të gjithë udhëtimit mbi Adriatik. Më tej, është policia kufitare që shikon se nga cilat vende vijnë pasagjerët dhe sa të prekura janë ato nga gripi që vazhdon të zgjerojë numrin e të prekurve në shumë vende të botës, përfshirë edhe Ballkanin. Më tepër, grupi i shërbimit mjekësor në port fokusohet te emigrantët kosovarë që kalojnë transit nëpër Shqipëri me familjet e tyre, ndonëse këta thonë se nuk janë kontaktuar prej ndokujt për të mësuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Drejtoresha e Shëndetit Publik në Durrës, Lida Boshku, tha për gazetën se masat nuk janë ndërprerë asnjë çast përgjatë tre muajve të fundit dhe shërbimi në pikën kufitare të portit detar funksionon shumë mirë. Tragetet e linjave detare sollën paraditen e së mërkurës në Durrës rreth 1000 udhëtarë, shumica e të cilëve emigrantë kosovarë dhe shqiptarë. E megjithëse rreziku nga virusi nuk ka kaluar, në këtë pikë kufitare nuk vihet më re përdorimi i maskave, dorezave, dezinfektantëve apo mjeteve të tjera mbrojtëse.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›