E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania mobilizohet për natyralizimin e Përdedajt

Federata Gjermane e Futbollit ka filluar të mobilizohet për natyralizimin sa më të shpejtë të Fanol Përdedajt. 17-vjeçari i lindur në Kosovë cilësohet si talenti më i madh i evidentuar në Akademinë e Hertës së Berlinit dhe drejtuesit e DFB-së synojnë ta pajisin sa më parë me pasaportë, në mënyrë që ai të luajë me përfaqësuesen e këtij vendi. Që prej fillimit të këtij sezoni, lojtari i ri po stërvitet si profesionist, pasi është bërë pjesë e ekipit të parë. Talenti i paraqitur nga mesfushori shkatërrues nuk ka kaluar pa u vëzhguar. Menaxheri i përgjithshëm i klubit të kryeqytetit gjerman, Mikael Pretz, deklaroi: "Po, e vërtetë që federata dëshiron ta natyralizojë këtë lojtar. Është normale që DFB-ja të përkujdeset për të gjetur lojtarë, të cilët mund të përzgjidhen për t‘u bërë pjesë e ekipeve kombëtare të Gjermanisë". Kualiteti i Përdedajt është vlerësuar maksimalisht edhe nga drejtori teknik i federatës, Matias Samer. Puna e tij është të gjejë talente nga mosha 11 deri në 18 vjeç, ndërkohë që kujdeset edhe për sistemin taktik të të gjitha përfaqësueseve të moshave, duke bashkëpunuar ngushtë me trajnerin Joakim Lëv. Ish-lojtari i Shtutgartit, Interit dhe Borusias, është angazhuar personalisht në natyralizimin e kosovarit dhe kërkon që lojtari të bëhet sa më shpejt pjesë e ekipeve Kombëtare gjermane. Përdedaj u transferua në skuadrat zinxhir të Hertës nga Vilmersdorfi në vitin 2002. Edhe Lysien Favre, trajneri i skuadrës që u rendit e katërta gjatë sezonit të kaluar në Bundesligë, është i kënaqur me paraqitjet e mesfushorit: "Luftoi shumë, pasi u dëmtua në ligamentet e gjurit. Gjithsesi, tashmë Fanoli është rikuperuar plotësisht dhe po paraqitet mjaft mirë në stërvitje".

Përdedaj ishte i vetmi lojtar i skuadrës U-19 që u grumbullua në ekipin e parë të berlinezëve. Shefi i Akademisë së Hertës, Frank Vogel, e vlerëson mesfushorin kosovar si talent me të ardhme të madhe. Madje, ai e krahason 17-vjeçarin me yllin e Milanit dhe Kombëtares italiane, Xhenaro Gatuzo. "Në ekipin e të rinjve, ai gjithmonë është krahasuar me Gatuzon. Stili i tij i lojës është vërtet shumë i ngjashëm me italianin", ka thënë Vogel.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›