E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikohen vetëm rastet e dyshimta me simptoma gripi

Alarmi i dhënë nga OBSH-ja për rrezikun e gripit të derrave ka bërë që të merren masa në çdo pikë kufitare të Qarkut të Vlorës. Në Portin e Vlorës, si edhe në pikën doganore të Qafëbotës janë marrë masa kontrolli për të gjitha produktet ushqimore që importohen. Sipas shefes së Drejtorisë së Shëndetit Shëndetësor, Brunilda Ndreu, janë marrë të gjitha masat që nga pika kufitare e Portit të Vlorës të mos hyjë asnjë person i pakontrolluar. Kontrolli thotë se është bazuar në disa pika. "Çdo ditë në mëngjes, kur edhe vijnë tragetet e linjës Vlorë-Brindisi, tre punonjës së ndërmarrjes kontrollojnë listën e udhëtarëve. Ata persona që kanë ardhur nga vendet e Amerikës Latine dhe Qendrore i ushtrohen një kontrolli të imtë nga personeli ynë, ndërsa për qytetarët e tjerë kontrolli bëhet vetëm për ata që shfaqin shenja të dukshme si rrufë, temperaturë", thotë Ndreu. Ajo shton se deri tani nuk ka pasur raste të dyshuara, pasi dhe fluksi i ardhjes së emigrantëve është akoma i ulët. "Në ditët në vazhdim do të kemi fluks më të lartë dhe masat nga ne do të jenë më të rrepta, si dhe me personel më të madh në numër", është shprehur Ndreu.

Po ashtu, drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit për Qarkun e Vlorës, Eduart Dervishaj, shprehet se 11 inspektorë janë shpërndarë në qark për kontrolle në të gjitha produktet me bazë shtazore që importohen. Ai theksoi se gjithashtu kontrollohen certifikatat e origjinës së këtyre produkteve që hyjnë në Shqipëri, por edhe ato që janë tranzitore në vendin tonë. "Nuk ka pasur asnjë problem, as me ushqimet me bazë shtazore e as me pasagjerët që kanë qarkulluar nëpërmjet pikave tona kufitare", tha Dervishaj. Ndërsa theksoi se do të merren masa edhe për kontroll në pika të ndryshme të prodhimit të produkteve shtazore, e kryesisht ato me bazë mishin e derrit, e njëkohësisht njësitë tregtare në rang qarku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›