E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejet vjetore, gjyqtarët bëjnë padi në Strasburg

 

Armand Bajrami

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përgatit ankimimin në Strasburg kundër vendimit e Gjykatës Kushtetuese lidhur me lejet vjetore të togave të zeza. Ankimi në Gjykatën e Strasburgut do të bëhet për vendimin e marsit të këtij viti të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e gjyqtarëve për të përfituar leje 30 ditë pune. Gjyqtarët kërkuan këtë masë të lejes, por gjykata dha vetëm 30 ditë kalendarike, duke lënë në fuqi sanksionimin në ligj. Ky ndryshim i kushton gjyqtarëve të dy shkallëve të para të gjyqësorit 12 ditë më pak nga leja e zakonshme vjetore. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Unionit të Gjyqtarëve. Sipas tyre, ankimi që ishte paralajmëruar nga togat e zeza që pas shpalljes së vendimit të Kushtetueses, është gati dhe në ditët në vazhdim pritet të dërgohet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Sipas padisë, Unioni e pretendon se është në kundërshtim me Kushtetutën vendimin e Gjykatës në Tiranë për masën e lejes vjetore.
Padi në Strasburg
"Drita jeshile" për të mundësuar depozitimin e ankimin në Strasburg për Unionin e Gjyqtarëve u hap pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Burime pranë Unionit sqaruan se vendimi që rrëzoi kërkesën e tyre në Kushtetuese është zbardhur pak ditë më parë. Në ankimin që pritet të dërgohet në Strasburg në ditët në vijim, Unioni i Gjyqtarëve pretendon antikushtetutshmërinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por edhe shkelje të Konventës. Kjo pasi, sipas tyre, togat e zeza kanë gabuar në interpretimin e ligjit, kur i kanë ulur numrin e ditëve të pushimit gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit në gjithë vendin. Duke iu referuar Kushtetutës, togat e zeza pohojnë se, "gjyqtarit nuk mund t'i ndërpriten apo hiqen beneficet që i ka përfituar më parë me ligj".
Kushtetuesja
Me një vendim në javën e parë të muajit mars të këtij viti, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për lejet vjetore të togave të zeza. Kërkesa e magjistratëve të unionit erdhi pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për gjyqësorin, i cili vendosi për gjyqtarët një afat pushimesh prej 30 ditësh, nga 42 që kishin pasur më parë. Sipas gjyqtarëve të Unionit, ndërsa gjyqtarëve të dy shkallëve të para të gjyqësorit iu janë kufizuar 12 ditë nga leja vjetore, vetë gjyqtarët e Kushtetueses kanë bërë vjet 56 ditë leje të zakonshme. Magjistratët e Unionit sqaruan atëherë se i njëjti nen ishte interpretuar në mënyra të ndryshme për dy palë të ndryshme në Gjykatën Kushtetuese. Tetë anëtarë të kësaj gjykate patën shqyrtuar padinë e Unionit, nga të cilët pesë gjyqtarë votuan kundër dhe tre ishin pro vendimit që togat e zeza të bëjnë pushime vjetore me kohën e plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›