E Diel, 1 Nëntor 2026

Eshtrat e dom Nikoll Kaçorrit transportohen me karrocë mallrash

TIRANE- Skandal qeveritar me eshtrat e misionarit dhe nënkryetarit të qeverisë së parë shqiptare, imzot Nikoll Kaçorrit. Asnjë qeveritar shqiptar, madje as nga ndonjë i rangut më të ulët nuk ka qenë i pranishëm në aeroportin e Rinasit më 9 shkurt 2011, kur nga Austria kanë mbërritur eshtrat e nënkryetarit të qeverisë së Vlorës.

Por duke mos u ndalur me kaq, skandali vijon edhe më tej. Sepse në Rinas nuk kishte asnjë shenjë protokolli qeveritar për themeluesin e parë të kësaj qeverie. “Gazeta Shqiptare” denoncoi skandalin duke publikuar dhe foto ku duket qartë se arkivoli që mbante eshtrat e themeluesit të alfabetit shqip, është transportuar me një karrocë mallrash.

“Madje zyra e protokollit qeveritar nuk ka lejuar të afrojë makinën pranë avionit që arkivoli të mos merrej nën dore si të ishte ndonjë valixhe. Më pas eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit janë transportuar me një karrocë mallrash. Në fakt nuk ke ç'të presësh më shumë, kur ministri i Kulturës, është ende në "kërkim të eshtrave" të Ismail Qemalit....”- shkruhet në artikullin e botuar sot në “Gazeta Shqiptare” i cili shoqërohet dhe me një reagim tepër indinjues të Fritz Radovanit, (i përndjekur politik, dhe autor i disa librave, me banim në Australi) me titull “Eshnat e Dom Nikoll Kaçorrit frikësojnë qeverinë anadollake të Tiranës".

Në ceremoninë e pritjes së eshtrave të Dom Nikollë Kacorrit kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Kishës në Durrës dhe shoqata “Durrësi” por dhe dhjetra qytetarë të qytetit bregdetar.

Ceremonia mortore e Kacorrit, njërit prej figurave themelore të shtetit shqiptar u zhvillua të dielën, më 13 shkurt në Kon-Katedralen "Shën Luçia" të Durrësit. Në këtë ceremoni mori pjesë dhe kryemonistri Berisha. Ai e cilësoi "Shenjt i pavarësisë së kombit", klerikun dhe atdhetarin Dom Nikollë Kaçorri, eshtrat e të cilit u kthyen në atdhe pas 94 vjetësh që ai prehej në Vjenë ku dhe ndërroi jetë më 29 maj 1917.
Dom Nikoll Kaçorri njihet si një nga personalitetet që shpallën pavarësinë e Shqipërisë në 28 nëntor 1912, dhe nënkryetari i qeverisë së parë shqiptare që ngriti Ismail Qemali. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe me iniciativën e një grupi veprimtarësh shqiptarë, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, dhe do të prehen në altarin e Kishës "Shën Luçia", ku ai shërbeu për 24 vjet.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Eshtnat e Nikoll Kaçorrit friksojnë qeverinë anadollake të Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›