E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri rus Nikolaj Lukshinov: “Pasioni i Enver Hoxhës për futbollin”

Sovjetiku punoi me Boriçin te Kombëtarja dhe Spahiun te Partizani në vitet 1957-1958. Ish-presidenti i FSHF-së, Papadhopulli: “Ishte një mik i madh i Shqipërisë”

Dash Frashëri

Nikolaj Mihajloviç Lukshinov, sot 94 vjeç (ka lindur, më 15 tetor 1915), mund të tingëllojë si një emër i panjohur në ambientet e sotme futbollistike, por 53 vjet më parë, në vitin 1957, “profesori” rus, atëherë 39 vjeç, mbërriti në Shqipëri për të dhënë përvojën e tij te Partizani e përfaqësuesja shqiptare, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në dy tituj kampion të Partizanit të drejtuar nga trajneri Rexhep Spahiu, ato të sezoneve 1957 e 1958, por dhe një serie rezultatesh pozitive me përfaqësuesen e drejtuar atëherë nga Loro Boriçi.
Në fakt, Lukshinov nuk është sovjetiku i vetëm i famshëm që ka ardhur në Shqipëri. Dy specialistë të tjerë të sporteve, Grigori Nikofovov dhe Boris Aphutin, kishin qenë në Shqipëri në fillim të vitit 1949, madje ata kishin zhvilluar kurse si me trajnerë të futbollit, ashtu dhe me ata të atletikës.
Nikolaj Mihajloviç Lukshinov, ish-trajneri i famshëm i Zenitit e Dinamos së Moskës e përmënd shpesh në kujtimet e tij gjatë intervistave për mediat ruse dy vitet tij të qëndrimit në Shqipëri (1957-1958), madje kujton edhe pritjet që i ka bërë atij udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Bashkë me të në vendin tonë mbërriti edhe sovjetiku (rusi) tjetër Aphutin Boris.

TAKIMET ME ENVER HOXHËN

Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik të asaj kohe ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, madje tepër të nevojshme për një vend të vogël e të varfër ekonomikisht si vendi ynë. Specialistët sovjetikë, qofshin këta ushtarakë, inxhinierë apo çfarëdo tjetër profesioni ishin të mirëpritur, madje të vlerësuar e të trajtuar me kujdes të posaçëm.
Një nga ish-lojtarët e famshëm të Partizanit të atyre viteve, madje për disa sezone edhe kapiteni i skuadrës, prof.dr Miço Papadhopulli, sot 77 vjeç, e ruan ende në kujtesë “profesorin” rus, Nikolaj Lukshnikov, një ish-anëtar të Komitetit Teknik të UEFA-s të ngarkuar edhe me zhvillimin e futbollit në vende.
“E mbaj mend si tani, ka qenë me të vërtetë një njeri i përsosur. Një rus simpatik, human, korrekt e model korrektesë në punë. Në ish-Bashkimin Sovjetik ishte docent i shkencave sportive, pedagog e lektor në Institutin “Lesgafta” të Leningradit - thotë “Daja”, i cili ka pasur një karrierë shumë të gjatë prej 18-vjetësh si futbollist.
“Unë nënshkrova një kontratë për vetëm një vit, por në fakt punova atje (në Shqipëri) për gati dy vjet e gjysmë. Fitova turneun më prestigjioz (kampionatin) me Partizanin dhe ata m’u lutën të vazhdoja. Qëndrimi ndaj meje ishte më të vërtetë mjaft i mirë, dhe shumë shpesh kisha takuar edhe personalisht presidentin (sekretarin e KQ të PPSH-së), Enver Hoxhën. Më fliste shpesh për futbollin dhe e donte atë. E kishte pasion”, - citohet Lukshnikov nga uebsajti rus smena.ru.
“Takimet e tij me Enver Hoxhën? Nuk e di. Kuptohet, unë personalisht nuk i kam parë të takohen, por me Petrit Dumen, po, pasi ky vinte çdo javë në stërvitjet e Partizanit. Me Beqir Ballukun, gjithashtu po”, - thotë Miço Papadhopulli, i cili me Partizanin e lavdishëm të asaj kohe, fitoi medaljen e argjentë në turneun ndërkombëtar të ekipeve ushtarake të vendeve lindore në Laipcig të Gjermanisë (1958) dhe në Hanoi të Vietnamit (1963).
Enver Hoxha ishte i apasionuar pas futbollit dhe në ndeshje të rëndësishme ishte dhe vetë i pranishëm në tribunën kryesore të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

PARTIZANI

“Kur erdhi në Shqipëri në vitin 1957, duhet të ishte rreth të 40-ve, pasi erdhi për të jetuar së bashku me gruan (“të bukur”, -thotë Miço) dhe djalin e tij. Jetonte diku afër teatrit të sotëm të Kukullave, atëherë njihej si klubi i sovjetikëve. Kishte ardhur në Shqipëri për të punuar, pasi ishte zgjedhur edhe nga UEFA si një prej kuadrove ruse, si anëtar i Komisionit teknik të UEFA-s”, - tha ish-mbrojtësi i Partizanit, fitues i dy medaljeve të argjendta në turneun ndërkombëtar të Lajpcigut në Gjermani dhe Hanoit në Vietnam.
“Në fakt, përpara Lukshnikovit kishte mbërritur rusi tjetër, Boris Aphutin, por ky me tëpër dha disa leksione me trajnerë, e nuk punoi në terren me ndonjë skuadër të veçantë. Ishte një trajner i madh, por ndenji shumë pak në Shqipëri. Më shumë ishte një vizitor”, - thotë ish-presidenti karizmatik i Federatës Shqiptare të Futbollit, Papadhopulli.
Por, pse zgjodhi rusi Lukshnovi, Partizanin dhe jo Dinamon, ekipin tjetër të madh të kryeqytetit të asaj kohe. Mjeshtri i Sportit, Miço Papadhopulli, tregon: “Nikolaj takoi shefin e klubit të Partizanit, Besim Fagu, dhe i kërkoi të punonte me Partizanin, pasi në atë kohë ekipi kombëtar mblidhej vëtëm një herë në muaj. Në fakt, Rexhep Spahiu, ishte trajneri, por Lukshinovi i mësoi atij planifikimin javor të stërvitjes, mezociklin dhe ciklin trejavor. Xhepi mësoi shumë prej tij. Ai për mua mbetet trajneri më i madh që ka pas Shqipëria. Kishte kulturë të madhe, dinte italisht e frëngjisht. Kishte mbaruar gjimnazin e Tiranës gjithë dhjeta.
Në fakt, sipas CV-së së tij, Lukshnikov përmend faktin se kishte qenë edhe njëherë tjetër më parë në Shqipëri, në vitin 1948, por për një vizitë me karakter njohës, pasi atëherë ai drejtonte Zenitin e Leningradit, siç quhej atëherë St.Petersburgu i sotëm.
Vetë Lukshinov e konsideron edhe sot e kësaj dite si shumë interesante mundësinë që iu krijua për të punuar e drejtuar në Shqipëri, ku do të bashkëdrejtonte Partizanin së bashku edhe me Rexhep Spahiun në fitimin e dy titujve kampion, 1957 e 1958 (Xhepi fitoi edhe në vitin 1959), por dhe me ekipin Kombëtar. Kampionati i vitit 1958 konsiderohet edhe si ndër më të bukurit e futbollit shqiptar. Thjesht për statistikë: Partizani e Dinamo e mbyllën kampionatin e vitit 1957 me nga 23 pikë secila, por në ndeshjen “ekstra”, Partizani fitoi 3-1.
Por a pati ndikimin e tij rusi Nikolaj Lukshinov në këta tituj të Partizanit. Papadhopulli, një ish-lojtar kampion i këtyre sezoneve thotë me bindje: “Sigurisht, që po. Skuadra u poq, u maturua, luante një futboll shumë cilësor. Xhepi, siç e thërrisnin të gjithë, mësoi shumë prej tij, metodikës së punës së Lukshinovit”. Në fakt, duke parë statistikat historike, Rexhep Spahiu, një trajner shumë popullor në Shqipëri fitoi 5 tituj kampionë si trajner i parë dhe dy të tjerë si ndihmës. Kampionati

KOMBËTARJA

Përpara se Kombëtarja të binte në duart e Loro Boriçit në vitin 1957, përfaqësuesja jonë, me çfarëdo lloj emri që ajo paraqitej, Kombëtarja e Shqipërisë, përfaqësuesja e Tiranës apo e Rinisë, pas serbit Ljubisha Broçiç, ky i fundit arriti të fitojë edhe Kampionatin Ballkanik të vitit 1946, kishte pasur në drejtim me radhë Adem Karapicin, Sllave Llambin, Ludovik Jakovën, Myslim Alllën, por për ka kohë edhe hungarezin e famshëm Miklosh Vadash.
Loro Boriçi, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares, dhe një nga të tre futbollistët shqiptarë të paraluftës që kishin luajtur në Itali, me Lacion, dy të tjerët janë Riza Lushta te Napoli e Naim Kryeziu te Roma, kishte marrë në dorëzim ekipin përfaqësues. Pikërisht, në atë kohë, viti 1957, ishte në Shqipëri, Nikolaj Lukshinov.
Rusi vendosi kontakte të menjëhershme me Loro Boriçin, ky i fundit e mirëpriti dhe mësoi jo pak nga Lukshinovi. “Thuajse rrinin bashkë gjithë kohën, - thotë Miço, një ish-lojtar i Loros, - madje hanin shpesh bashkë. “Lukshinovi vazhdoi të vendosë bazat e përgatitjes sportive nëpërmjet planifikimit stërvitor. Jo vetëm bëj këtë dhe atë, siç bëhej rëndom në atë kohë, pa ndonjë plan-cikël javor apo trejavor në ngarkesa, apo ushtrime. Në fakt, ai erdhi me dy qëllime, ndoshta edhe të parashikuara në kontratën e tij me shtetin shqiptar: së pari, të stëviste një skuadër kombëtare, dhe së dyti, për të përgatitur trajnerët shqiptarë me metodat më bashkëkohore të asaj kohe. Në fakt, nëse me Partizanin drejtoi së bashku me Rexhep Spahiun, i cili ishte edhe trajneri zyrtar i skuadrës, te Kombëtarja ishte konsulent i Loro Boriçit të madh. Rinin gjithmonë bashkë me Loron.
“Gjatë vitit 1957 ekipi Kombëtar grumbullohej shpesh dhe bënte ndeshje testuese me ekipe të ndryshme të vendit. Atëherë shumica e lojtarëve të përfaqësueses ishin nga Partizani e Dinamo, dy ekipet më të mira të asaj kohe, por dhe tek-tuk ndonjë lojtar nga Tirana apo Vllaznia. Bënin ndeshje me Tiranën apo selekesione lojtarësh nga skuadra të ndryshme. Ajo kohë ishte.
“Si një trajner i madh, Lukshinovi synonte harmonizimin e ekipit. I vuri rëndësi anës taktike, pasi pa shumë dobësi në këtë drejtim. Në vitin 1957 luanim me variantin hungarez në formë ‘ËM’, apo 3-2-2-3. Kështu në fakt, luhej në gjithë botën, pasi në vitin 1958 u bë i njohur sistemi brazilian 4-2-4, me të cilin Brazili fitoi kampionatin botëror në Suedi. Në vitin 1945-1946 luanim me sistemin piramidal, që bazohej para së gjithash me 5 sulmues.
Lukshinov futi anën metodike të stërvitjes së teorike të gërshetuar me atë praktike. Futi për herë të parë ngarkesat e larta stërvitore. Pa që nuk lojtarët nuk e përballonin. Futi mjekësinë sportive. Futi testimet. Mbi këtë bazë bëri seleksionim. Pëlqente lojtarë të fuqishëm. Shkolla ruse, ashtu si ajo angleze, bazohet shumë mbi kondicionin fizik të lojtarëve.
Festivali i Rinisë në Moskë në vitin 1957, në të cilin merrnin 50-60 skuadra nga vende të ndryshme të botës, ishte një nga aktivitet e bujshme të asaj kohe në Bllokun Lindor. Një veprimtari që vlerësohej shumë nga regjimi komunist shqiptar.
“Lukshinovi bëri një seleksionim të mirë. E njihte mirë futbollin shqiptar, pasi ndiqte kampionatin tonë. Seleksionoi gati 60-70 futbollistë për të nxjerrë 22-shen më të mirë të Shqipërisë. Kishte shumë lojtarë nga Partizani e Dinamo. Qëndruam më shumë se një muaj në Moskë. Ishte e jashtëzakonshëm ajo periudhë. Gjatë ditës zhvilloheshin aktivitete të ndryshme sportive. Gjithë Moska ziente, natë-ditë, këngë, vallëzime”, - kujton Papadhopulli.
“Ne rinim në Romasov, në universitetin e Moskës. Qyteza e Moskës kishte mbi 50 pallate 20 katësh, ambiente sportive, palestra. Gjithçka. Bollëk i madh. Sovjetikët donin të krijonin imazhin e një vendi të lumtur. Dhe për ne që vinim nga Shqipëria na dukej më shumë se kaq. Ndeshjet kishin karakter thellësisht miqësor, pavarësisht se skema e eliminimit e lufta sportive ishte e madhe”, - thotë “Daja”, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar si trajner ekipet e Partizanit, Lokomotivës së Durrësit dhe Stundentin.
Në vitin 1957, Shqipëria zhvilloi një turne të gjatë prej nëntë ndeshjesh në Kinë, me një bilanc prej 2 fitoresh, 2 barazimesh e 5 humbjesh. Vetëm një prej tyre, është në fakt e regjistruar si ndeshje e Kombëtares, një humbje 3-2, më 15 shtator të vitit 1957, ku si trajner zyrtar është Loro Boriçi.

POST-SHQIPËRIA
Pas kthimit nga Shqipëria, Nikolak Lukshinov punoi në Institutin “Lesgafta”, ku iu përkushtua botimeve pedagogjike e shkencorë në lidhje me sportin. Shkruajti disa libra, por më të famshmit janë “Futbolli” dhe “Arti i trajnimit në futbollin e klasit të lartë”. Dy libra të ribotuar disa herë dhe me tirazh të madh jo vetëm në ish-Bashkimin Sovjetik, por të përkthyera edhe në shumë vende të botës. “Lukshinov ishte një shembull i rrallë i lidhjes midis teorisë e praktikës. Atij i pëlqente futbolli sulmues. Gjatë dy viteve që udhëhoqi ekipin e Shqipërisë, edhe sot e kësaj dite kujtohet për punën e mirë”, - citohet Genadi Orlov, një drejtues i lartë i departamentit të futbollit në Institutin “Lesgafta” nga uebsajti rus, nevskoevremya.spb.ru, në një shkrim të vitit 2005 me rastin e 90-vjetorit të Nikolaj Lukshnikovit.

Demokrat i madh

“Në botë ekizstojnë tre tipa trajnerësh. Despotikët, ata që nuk tolerojnë aspak dhe nuk krijojnë asnjë komunikim me lojtarët që stërvisin, së dyti, demokratët, që nga e tyre pranojnë debatet dhe e nxisin atë, dhe së treti, liberalët, që krijojnë marrëdhënie jo fort të qëndrueshëm”, - thotë Miço Papadhopulli, që nga a tij ka botuar edhe një libër “Bazat e stërvitjes në futboll”. “Lukshinov ishte një trajner demokrat, human, i durueshëm, i thjeshtë dhe komunikues. Dinte të krijonte raporte të mira me lojtarët, por dhe me tifozët”.

Shqipëria gjatë gjithë historisë së futbollistike me Kombëtaren e madhe ka fituar vetëm dy trofe ndërkomëbëtarë, Kampionatin Ballkanik të vitit 1946, të organizuar në Tiranë, dhe turneun “Rothmans” të zhvilluar në Maltë në vitin 2000, kur trajner ishte Medin Zhega. Pikërisht në trofeun e parë të Shqipërisë, dha kontributin e tij serbi Ljubisha Broshiç, një nga teknikët më të mirë të Ballkanit e më gjërë, i cili gjatë karrierës së tij të gjatë, drejtoi disa nga klubet më të mëdha në botë, si Juventusi e Barcelona. “Në vitin 1946, kur u organizua Ballkaniada në Shqipëri erdhi Ljubisha Broçiç. Një trajner i apasionuar, shumë i zoti. Nga më të mëdhenjtë e Jugosllavisë. Më vonë ai ka drejtuar Juventusin, Barcelonën. Broçiç gjithmonë e ka thënë se në Shqipëri kishte gjetur një kontingjent të shkëlqyer lojtarësh. Portier Xhakomino Pozelli, Sllave Llambi, Loro Boriçi, Qamil Teliti, Bule Vathi, Pal Mirashi, Besim Fagu, Zihni Gjinali. Humbëm fatkeqësisht 3-2 me Jugosllavinë, por mundëm Bullgarinë (2-0) e Rumaninë (1-0). Pasi fitoi Kampionatin Ballkanik, me mbarimin e kontratës në krye të skuadrës erdhi Adem Karapici. Në vitin 1947-1948 u formua kampionati i Europës Qëndrore. Midis të ndeshjeve të tjera, fituam 1-0 në Rumani (2 maj 1948), dhe barazuam 0-0 me Jugosllavinë në Beograd (27 qershor1948). Isha student në Beograd. Vjen ekipi Kombëtar. Minella Kapo ishte përgjegjës i ekipit, i cili vlerësohet si babai i mjekësisë sportive në Shqipëri, pasi ishte themelues i Qëndrës së Mjekësisë Sportive. Në këtë takim luajti edhe Zihni Gjinali e Besim Fagu. Shqipëria bëri një ndeshje të jashtëzakonshme në stadiumin ‘Havala’ të Beogradit, në prani të 35 mijë shikuesve. Nuk merrej vesh se kush ishin jugosllavët dhe kush ne. Loro bëri një ndeshje të madhe. Mezi e markonin dy-tre lojtarë. Broçiç erdhi në hotel dha përgëzoi për lojën”, tregon Miço. “Broçiç tregoi dhe për Ballkaniadën, ku Shqipëria doli kampione. Nuk e fitova unë tha Broçiç, e fituat ju. Kishit një ekip të shkëlqyer. Lojtarët më të mirë të Europës”, - kujton Papadhopulli, i cili ka studiuar në Beograd.

HUNGAREZI MIKLOSH VADASH

Miklosh Vadash, i përmendur shpesh si një nga trajnerët e Kombëtares shqiptar (drejtoi në vitin 1953), çoi përfaqësuesen shqiptare me emrin “Përfaqësuesja e Rinisë së Tiranës” në Rumani (në një Festival të Rinisë e Studentëve në Bukuresht), Rusi e Poloni. Me Kombëtaren e “vërtetë” – siç shkruan Ismet Bellova – Vadashi luajti kundër Dinamos së Moskës (humbi 0-4, 22 gusht 1953), Zenitin e St.Petërsburgut (0-3, 26 gusht 1953) e Spartakun e Moskës (0-3, 30 gusht 1953). Gjithsesi, Miklosh Vadash ka fituar 2-0 kundër Polonisë, pikurisht, më 29 nëntor të vitit 1953, kur bashkëdrejtoi skuadrën me Myslim Allën.

RUMUNI ION BOLENSKU

Kontributin e tyre në zhvillimin e futbollit shqiptar e dhanë edhe hungarezi Miklosh Vadash e rumuni Ion Balanesku, ky i fundit vetëm në nivel klubi.

Trajnerët e huaj të Shqipërisë

Josip Kuzhe (kroat)
Nga 25.05.2009

Ari Han (holandez)
01.01.2008-15.04.2009

Oto Bariç (kroat)
01.07.2006 01.06.2007

Hans Peter Brigel (gjerman)
29.03.2003 30.05.2006

Xhuzepe Dosena (italian)
12.07.2002 16.12.2002

Nikolaj Ljushnikov (rus)
1957-1958

Miklos Vadas (hungarez)
29.11.1953

Ljubisha Broshiç (serb)
22.09.1946 13.10.1946

Të gjithë trajnerët
e Kombëtares
nga Broshiç te Kuzhe

Ljubisha Broshiç (serb)
Adem Karapici
Sllave Llambi
Ludovik Jakova
Myslim Alla
Miklosh Vadash (hungarez)
Loro Boriçi
Nikolaj Lushnikov (rus)
Zyber Konçi
Ilia Shuke
Shyqyri Rreli
Agron Sulaj
Bejkush Birçe
Agron Sulaj
Bejkush Birçe
Neptun Bajko
Astrit Hafizi
Medin Zhega
Sulejman Demollari
Xhuzepe Dosena (italian)
Hans Peter Brigel (gjerman)
Oto Bariç (kroat)
Ari Han (holandez)
Josip Kuzhe (kroat)

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›