E Diel, 1 Nëntor 2026

Eshtrat, mjekët nuk dinë të përdorin aparaturat për ADN

29/03/2010 Prej dy muajsh asnjë skelet i identifikuar. Vetëm ekzaminime kockore

TIRANE-Mosfunksionimi i mirë si dhe mungesa e eksperiencës së specialistëve shqiptarë për të vënë në punë aparaturën që nxjerr kodin gjenetik (ADN) të njeriut, ka bërë që për rreth dy muaj, të mos identifikohet asnjë nga 13 skeletet e gjetura në malin e Dajtit. Gjatë kësaj kohe mjekët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore, janë mjaftuar vetëm me ekzaminimet e kockave si dhe të dhëmbëve, por deri tani mësohet se nuk është bërë asnjë analizë shkencore, e cila do të zbardhte shumë shpejt identitetin e eshtrave. Shkak i kësaj situate mësohet të jetë bërë mos pasja e informacionit të duhur me qëllim vënien në përdorim të paisjeve të aparaturave që janë instaluar disa muaj më parë pranë ambjenteve të Institutit të Shëndetit Publik. Kjo ka sjellë një ngërç, përsa i përket përcaktimit të një emri mbi 13 skeletet e gjetura në rëzë të malit Dajt. Aktualisht ekspertët mjeko-ligjorë shpresojnë që identifikimi i eshtrave të bëhet vetëm nëpërmjet të dhënave dhe studimeve që ata do kryejnë mbi qelizat kockore të çdo skeleti si dhe nga dokumentacioni i arkivit të Ministrisë së Brendshme. Nga analizimi i eshtrave të futura në 19 qese plasmasi, janë ndërtuar plot 13 skelete, ku mendohet se dy prej tyre i përkasin seksit femër. Mësohet se mjekët janë duke punuar për krijimin e një database për gjithsecilin prej trupave të gjetur, duke filluar nga mosha e tyre e deri tek të dhënat mbi sëmundjet apo dhe frakturat e mundshme që mund të kenë pasur viktimat. Të gjitha këto të dhëna do ti paraqiten prokurorisë, e cila nga denoncimet e bëra nga familjarë të ndryshëm mund të lokalizohet identifikimi i viktimave. Burimet thanë se vetëm pasi të jenë krijuar këto profile do jetë e mundur të bëhet analiza e AND-së, por më parë se të shkohet në këtë proces duhet që mjekët të mësojnë përdorimin e aparaturës së nxjerr rezultatin final të kodit gjenetik të njeriut. E ndërsa puna për ekzaminimin e eshtrave vijon normalisht në Institutin e Mjekësisë Ligjore, nuk janë të pakët familjarë të viktimave të regjimit komunist që interesohen për ecurinë e këtij procesi. Zbulimi i varrezës së regjimit komunist në periferi të Tiranës vetëm pak muaj më parë ka hedhur dyshime të forta për kohën e gjetjes së eshtrave dhe momentin e publikimit të saj. Zyrtarisht është dokumentuar se varreza është zbuluar në prill të vitit të kaluar. Në atë kohë, tre persona kanë dorëzuar në morgun e Tiranës katër qese me eshtra njerëzish. Ata kanë kontaktuar me mjekët dhe u kanë thënë se eshtrat u përkisnin të pushkatuarve të regjimit komunist.

Zbulimi i varrit

Dy muaj më parë lajmi mori dhenë, se në malin e Dajtit është zbuluar një varezë masive, ku ishin gjetur plot 13 skeletë të personave që janë pushkatuar gjatë sistemit komunist. Eshtrat ishin vendosur në 19 qese dhe sipas specialistëve ato qenë zhvarrosur në mënyrë të çregullt. Por realisht kjo varezë është zbuluar në muajt Prill-Tetor-Nëntor 2009, kur i biri i Koço Plakut, Jorgua ka kryer gërmime private me qëllim gjetjen e eshtrave të babait të tij. Vendi ku u zbulua vareza masive ishte pranë bunkerëve të ish-komitetit Ekzekutiv.

Eshtrat e lëvizuara

Nga veprimet e para hetimore, ka dyshime të forta se një pjesë e skeleteve të gjetura janë zhvarrosur dhe më pas groposur sërisht, pasi mendohet se pas analizave të ADN-së eshtrat e gjetura nuk kanë qënë të të afërmve të tyre. Këto dyshime faktohen pasi në varin masiv disa skelete janë gjendur të mbëshjellë me qese të zeza, të cilat janë produkt industrial i kohëve të fundit. Eshtrat mendohet se nuk i përkasin të dënuarve politikë. Në atë varezë dyshohet se ndodheshin trupat e Xhevdet Mustafës, si dhe personave të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›