Kryeministri i kundërvihet publikisht, ambasadorit amerikan

I pyetur sot në zonën e ndërtimit të TEC-it, se si e shpjegonte faktin që ka marrë kritika nga ndërkombëtarët dhe opozita por edhe nga brenda grupit dhe aleatët e tij, kryeministri Berisha iu përgjigj:
“Ne tashmë kemi dalë nga bota hekurosur në botën e diversitetit. Dhe kjo është merita e demokracisë. Sigurisht që kritikat bazohen në diversitetet, monopolin e së vërtetës nuk e ka asnjeri, as unë as askush tjetër”.
Reagimi i Berishës, vjen pikërisht pas deklaratave të forta të ambasadorit Uidhers, më së fundi dje, në Tiranë kur gjendej përballë Berishës në foltore, (shihni foton bashkëlidhur), gjatë ceremonisë së Nënshkrimit të Programit të dytë të Pragut Sfida e Mijëvjeçarit.
Ambasadori Uidhers, këmbënguli se reagimet e tij të ditëve të fundit nuk ishin rrjedhojë keqkuptimesh për zhvillimet që lidhen me sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ndërsa paralajmëroi se nëse qeveria nuk tërhiqet, do të përballet me reagime serioze.
Uidhers nuk la pa përmendur faktin se “kur qeveria amerikane, udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë, e ftoi Shqipërinë të bëhej anëtare e NATO-s në prill, pritshmëria e saj ishte që Shqipëria do të përmbushte standardet më të larta të demokracisë”.
Këtu, ai vijoi idenë e tij: “Kur muajin e kaluar, Senati i Sh.B.A. ratifikoi protokollet e NATO-s për Shqipërinë, pritshmëria e tij ishte që Shqipëria do të kishte një përkushtim të pandryshueshëm dhe të pakthyeshëm ndaj demokracisë”.
Dhe menjëherë më pas, qartësoi: “Amerikanët janë shumë seriozë për demokracinë”.
Në këtë pikë, z.Uidhers ka shtjelluar: “Prandaj edhe kam shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit këtu në Shqipëri”.
Ambasadori tha se disa herë i kanë thënë, deri edhe dje në mbrëmje (të enjten shën. i red.), që shqetësimet e tij bazohen mbi keqkuptime të asaj çka ndodh këtu.
Ai qartësoi: “Do të doja t’u bëj të qartë atyre personave që ne amerikanët e dimë se si funksionon një sistem demokratik. Shqetësimet e mia, dhe shqetësimet e qeverisë sime, nuk bazohen mbi keqkuptime. Ato bazohen mbi realitete”.
“Sulmi” erdhi më pas, në mënyrë direkte: “Veprimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme fundjavën e kaluar janë shqetësuese sepse janë reale”.
Doza e paralajmërimeve ndaj qeverisë shqiptare, vijoi me deklaratën se “ligji për administratën gjyqësore që ndërhyn në autoritetet dhe të drejtat e gjykatës, dhe që aktualisht ndodhet para Parlamentit, është shqetësues sepse është real”.
Ndërkohë, z.Uidhers, shtoi: “Lëvizjet në Parlament, edhe sot, për një hetim mbi funksionimin e Prokurores së Përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime, janë shqetësuese sepse janë reale”.
Këtu, z.Uidhers konkludoi, duke lënë hapur të kuptohet, se në rast mostërheqje të qeverisë, do të ketë pasoja: “Këto janë ngjarje që qeveria ime dhe unë do t’i ndjekim nga afër dhe do të jemi seriozë në lidhje me to”.
p.s/NOA
Shkarko attachment >> uidhers_me_berishen_perballe_779498086.jpg