E Diel, 1 Nëntor 2026

Eskorta e Presidentit Topi incident me ish-gardistin

 

Etleva Delia

Eskorta që shoqëron Presidentin e Republikës, Bamir Topi, është përfshirë në një incident ditën e diel. Kur grupi i shoqërimit të Presidentit po kalonte në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, gjatë kthimit nga një shërbim, një person ka ndërprerë rrugën dhe është konfliktuar me përgjegjësin e eskortës, oficerin e Gardës së Republikës, Agim Llupo. Ngjarja ka ndodhur mesditën e 17 majit 2009, por nuk është bërë publike nga policia, duke u mbajtur në fshehtësi të plotë. Nga burime zyrtare mësohet se Enrando Laçi, i cili tashmë është shpallur në kërkim, ka fyer për shkak të detyrës shefin e grupit shoqërues të kreut të shtetit, Bamir Topi. Sipas zyrtarëve nga policia, mësohet se Enrando Laçi disa muaj më parë ka qenë edhe vetë pjesëtar i grupit të shoqërimit të Presidentit, si oficer i Gardës së Republikës. Megjithatë ai ishte shkarkuar nga puna duke u larguar nga Garda. Burimet policore sqaruan se Presidenti Bamir Topi nuk ndodhej në makinat e eskortës në kohën kur ndodhi aksidenti. Automjetet po ktheheshin nga një shërbim në Jug të vendit, ndërsa kreu i shtetit nuk ndodhej në autokolonë. Sipas policisë, konflikti me shefin e eskortës Agim Llupo ka ndodhur për shkak të largimit nga puna të Enrando Laçit disa muaj më parë.
DENONCIMI
Edhe pse incidenti i eskortës së Presidentit të Republikës ka ndodhur në një territor që është në juridiksionin e policisë së Durrësit, oficeri Agim Llupo ka parë të arsyeshme që kallëzimin ta bënte në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, ky veprim është zgjedhur nga oficeri i Gardës, Agim Llupo, pasi vendbanimi i ish-kolegut të tij me të cilin ndodhi incidenti ishte në kryeqytet. Menjëherë pas kësaj ngjarje Agim Llupo ka bërë denoncimin në Komisariatin nr. 4 të policisë. Kjo e fundit ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj Enrando Laçit. Burimet nga policia e Tiranës thanë se personi për të cilin tashmë ka nisur procedimi penal akuzohet për fyerje për shkak të detyrës dhe efektivat e policisë janë vënë në ndjekje të tij. I kontaktuar nëpërmjet telefonit nga gazeta "Panorama", shefi i eskortës së Presidentit, Agim Llupo, nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim rreth kësaj ngjarje për shkaqet e saj. Ai e mohoi incidentin. Ndërkohë që burime jozyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Ministria e Brendshme pohuan se kanë nisur hetimet, ndërsa për këtë ngjarje është regjistruar procedimi penal përkatës. Në të njëjtën kohë burimet konfirmojnë se ngjarja nuk ka pasur lidhje me Presidentin Topi, por më tepër ka qenë një konflikt personal mes Enrando Laçit dhe ish-kolegëve të tij, në këtë rast me përgjegjësin e eskortës, duke e akuzuar si shkaktar të shkarkimit të tij nga puna disa muaj më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›