Zbulohet kontrata, Kuzhe do përfitojë 10 mijë euro në muaj
Leonard Karaj
Tridhjetë e pesë ditë nga shkarkimi i holandezit Arie Haan, Federata Shqiptare e Futbollit emëroi kroatin Josip Kuzhe (57 vjeç) në detyrën e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare. Lajmin e bëri të ditur vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka gjatë një konference të shpejtë për shtyp (gati 4 minuta) në ambientet e qeverisë së futbollit shqiptar. Kuzhe, i cili do të vijë sot në Tiranë do firmosë një kontratë 2.5 vjeçare me FSHF-në, në versionin me rinovim: 1 vit + 1.5 vjet. Sipas asaj që deklaroi bosi i futbollit shqiptar, Armand Duka, Kuzhe do të qëndrojë për një kohë të gjatë në Shqipëri, ndërkohë që ndryshe nga paraardhësit e tij të huaj stafin e tij teknik do ta ketë tërësisht shqiptar.
Duka
“Josip Kuzhe do të jetë trajneri i ri i kombëtares së Shqipërisë. Ky vendim u mor në mbledhjen e komitetit ekzekutiv. Tashmë do të jetë administrate e Federatës Shqiptare të Futbollit ajo që do të kryejë formalitetet e rastit. Brenda javës Kuzhe do të jetë në Tiranë dhe do të nisë menjëherë punën. Këto tri ndeshje nuk është se ndryshojnë pozicionin e Shqipërisë në renditje, megjithatë ne dëshirojmë të shikojmë ndeshje sa më të bukura, pse jo edhe rezultate pozitive”, - theksoi presidenti Duka. Ish-tekniku i Ruandës do të jetë i 16-ti në historinë e Kombëtares shqiptare dhe i pesti (i huaj) në stolin e Shqipërisë në shtatë vitet e fundit, cikël që nisi me italianin Xhuzepe Dosena, e vazhdoi me gjermanin Hans-Peter Brigel, kroatin Oto Bariç e holandezin Arie Haan.
Trajneri
Kuzhe, për të cilin investoi me konsiderata pozitive vetë ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç, “fitoi” në distancë “garën” me kroatin Ilija Lonçareviç (65 vjeç) e austriakun Peter Pakult (50 vjeç). Që të tre ishin sipas FSHF-së, kandidatë zyrtarë për stolin e Shqipërisë. “I kam të gjitha cilësitë e duhura për të drejtuar Shqipërinë, për të përzgjedhur lojtarët dhe bërë një ekip të mirë. Synimi im është që ta përmirësojë sa më shumë këtë ekip. Kam ambicie të mëdha”, - tha Josip Kuzhe (27 vjet eksperiencë si trajner), gjatë një konference për shtyp pas bisedimeve me Dukën. Kuzhe ka drejtuar për dy muaj përfaqësuesen e Ruandës (tetor 2007-janar 2008), duke e çuar atë në finalen e Sesafa Cup të zhvilluar në Tanzani, në nëntor të vitit 2007.
Kontrata
Presidenti Duka qartësoi edhe disa detaje në lidhje me kushtet e kontratës së trajnerit të ri, të cilat në dukje janë më “agresive”, në raport si me Dosenën, Brigelin, Bariçin e Hanin: “Sipas kushteve që i kemi vënë Kuzhe do të qëndrojë në Shqipëri gjatë gjithë kohës. Kontrata e tij do të jetë 1+1 vit e gjysmë, pra me opsion zgjatjen e kontratës në bazë të rezultateve që do të arrijë në vitin e parë. Prishjen e kontratës pas një viti mund ta bëjë vetëm FSHF-ja, jo trajneri. Kushti kryesor që i është vënë trajnerit ka të bëjë me përgatitjen e skuadrës për eliminatoret e ardhshme, po kuptohet duhet të marrë rezultatet maksimale në tri ndeshjet e mbetura”.
Rroga
Sipas burimeve pranë Komitetit Ekzekutiv në FSHF trajneri i ardhshëm i kombëtares (firmos sot) do të përfitojë rreth 10 mijë euro neto në muaj ose e thënë ndryshe rreth 120 mijë euro neto në vit. Kroati do të marrë kështu rreth 2.5 mijë euro në muaj më pak se pararadhësi i tij, Arie Haan. Holandezi përfitonte 12.5 mijë euro në muaj. Kuzhe do të transferohet me rezidencë në Shqipëri. Edhe për qiranë e shtëpisë dhe detyrimet aksesore për qëndrimin e trajnerit në vendin tonë do të mendojë federata, e cila jo vetëm do zgjedhë por edhe do paguajë apartamentin e Josip Kuze-së.
Tashmë, Kuzhe është zyrtarisht trajneri i Shqipërisë, dhe të gjithë presin të shohin frytet e para të punës së tij, edhe pse Arie Haan i ka “lënë në derë”, ekipet më të forta të grupit: Portugalinë, Danimarkën e Suedinë.