E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me armë për truallin në Plazh

 

DURRES - Qëllohet me armë gjahu pas një konflikti për një truall në zonën e Plazhit 39-vjeçari. Agron Bodlli, sipas mjekëve ka kaluar në vdekje klinike, ndërsa policia ka nisur kërkimet për autorin, Gani Kapiti. Sherri mes dy personave ka qenë i hershëm, por debati i nisur mesditën e djeshme çoi në nxjerrjen e armëve të zjarrit. Ngjarja ka ndodhur ngjitur me murin e lokal "Drenica", ku Bodlli së bashku me familjarë të tjerë kishin ngritur një kantier për ndërtimin e një objekti shumëkatësh. Policia e Durrësit njoftoi se pas hetimeve të para rezulton që autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Gani Kapiti, 50 vjeç, banues në lagjen nr.13 në Plazh. Me të zbrazur çiften në drejtim të Bodllit autori është larguar nga vendngjarja dhe policia e ka shpallur atë person në kërkim. Sipas policisë kemi të bëjmë me një konflikt pronësie, i cili ka lindur pak muaj më parë kur ngjitur me lokalin "Drenica" filloi punimet kantieri i ri. "Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti prone, të cilën e pretendonin të dyja familjet", bëri me dije policia. Ndërkohë, nga burime të tjera pohohet se prej kohësh familja Kapiti ishte shqetësuar nga ndërtimi pranë lokalit të tyre. Kjo, pasi sipas tyre, punimet po kryheshin shumë afër "Drenicës", pa u respektuar distanca dhe në ambientet e lokalit ishin krijuar dëmtime. Ka qenë ora 14:35 kur sherri mes Gani Kapitit dhe Agron Bodllit degradoi në të shtëna me çifte. Disa prej saçmave e kanë goditur 39-vjeçarin nga Shijaku në kokë, duke e çuar atë në gjendje kome. Policia e Durrësit bën me dije se ka nisur procedimi për veprën penale të "plagosjes së rëndë me dashje" ndaj autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›