Lejet e ndërtimit, i pandehur ish-kryebashkiaku i Lezhës
Prokuroria e Lezhës merr të pandehur ish-kryebashkiakun e qytetit, Gjok Jaku. I zgjedhuri lokal në emër të Partisë Socialiste, nga viti 2001 deri në 2007, akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve. Firma e Jakut rezulton mbi një dokument që i dha të drejtën në vitin 2002 një subjekti për të ndërtuar ujësjellësin e qytetit të Lezhës, pa kaluar më parë për miratim në Këshillin e Rregullimit të Territorit. Bashkë me Jakun, i pandehur është marrë dhe ish-sekretari i bashkisë. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se akuzat i janë komunikuar Gjok Jakut dhe ish-sekretarit ditën e hënë. Mësohet se gjatë kësaj seance, Jaku ka pranuar se firma e lënë mbi dokument ishte e tij, por duke mohuar të ishte në dijeni të dhënies së lejes firmës së ndërtimit të ujësjellësit. Sipas grupit hetimor, Jaku, në cilësinë e kryebashkiakut të Lezhës e ka firmosur lejen, pa marrë parasysh asnjë nga institucionet që veprojnë në qytet, sidomos për dhënien e ambienteve për shfrytëzim brenda territorit të bashkisë. Duke e justifikuar me faktin e një vendimi shtojcë, pa prezencën e Këshillave përgjegjës, ai akuzohet se ka firmosur e më pas përdorur një vulë të falsifikuar, çka i lejonte firmës të niste ndërtimin e ujësjellësit. Ky vendim i dhënë në mënyrë abuzive 7 vite më parë, u zbardh nga një qytetar që pretendonte pronësinë në tokën ku ndodhet ujësjellësi. Në vitin 2007, ai mësohet se ka kërkuar pranë Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave marrjen e kompensimit për tokën e zezë. Pas interesimit në bashki rezultonte toka e lirë, pasi në asnjë dosje apo arkiv nuk ishte protokolluar vendimi i dhënies së lejes së ndërtimit të ujësjellësit. Për këtë arsye u krye padia në Prokurorinë e Lezhës, e cila nisi hetimet. Në asnjë rast nuk rezultonte që firma zbatuese e projektit të ndërtimit të ujësjellësit të kishte marrë lejen e caktuar. Hetimi çoi deri në emrin e ish-kryebashkiakut socialist, Gjok Jaku. Në kohën kur i është komunikuar akuza, Jaku dhe avokati i tij pohuan se do të kërkojnë ndryshimin e prokurorit të çështjes, duke mos pranuar abuzimin me lejen e ndërtimit.