E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pashë Remzi Hoxhën në bazën e SHIK-ut”

 

Armand Bajrami

Ish-roja i bazës sekrete të SHIK në Vain të Lezhës dëshmoi dje te Krimet e Rënda, se në vitin 1995 kishte parë oficerët e shërbimit të fshehtë, kur merrnin në pyetje Remzi Hoxhën duke i bërtitur dhe kërcënuar.Viktor Sokoli, tregoi për momentet kur nga një dritare e godinës së bazës sekrete ka parë biznesmenin e zhdukur shqiptaro-maqedonas, që sipas prokurorisë se ka gjetur vdekjen pas torturave në Vain të Lezhës, ku mbahej duke u marrë në pyetje nga SHIK-u. Sipas dëshmitarit Viktor Sokoli, oficeri që mes britmash pyeste biznesmenin Remzi Hoxha, quhej Budjon. Në përfundim të thënieve të dëshmitarit, prokurori kërkoi leximin e pjesshëm të deklarimeve të dhëna nga Viktor Sokoli në maj 2003. Në seancën e djeshme, në ngarkim të tre ish-drejtuesve të SHIK, të akuzuar për rrëmbimin e trefishtë të Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e të fundit, u dëgjuan edhe katër dëshmi të tjera. Ish-punonjësit e SHIK, Flamur Dyrmishi, Bujar Hoxha, Edmond Çakërri dhe Bajram Bunica pohuan se nuk kishin asnjë lloj dijenie për Remzi Hoxhën, Kristopulin, apo Loshajn. 
DESHMIA E
Viktor SOKOLIT
Prokurori: Na thoni dëshmitar, nëse keni punuar në SHIK. Nëse po, në çfarë periudhe?
Dëshmitari: Në vitet 1995-2000 kam punuar në Shërbimin Informativ.
Prokurori: Konkretisht në çfarë pozicioni?
Dëshmitari: Kam qenë roje objekti në Vain të Lezhës.
Prokurori: Kush ka punuar tjetër me ju?
Dëshmitari: Tjetër me mua ka punuar Mhill Pjetri, Llesh Cani dhe Tom Qoshku, roje. Ndërsa brenda objektit ka qenë Gjok Hasanaj me të shoqen, që punonte banakiere.
Prokurori: Nga kush administrohej vila?
Dëshmitari: Nga kryetari Martin Miri.
Prokurori: Në vendin ku ju shërbenit, në Vain të Lezhës, a janë marrë njerëz në pyetje?
Dëshmitari: Unë jam marrë në pyetje. Për të tjerët nuk e di. Unë jam marrë në pyetje pas 1996 –ës. Më ka thirrur Mark Frroku. Tjetër se di.
Prokurori: Të tjerë në Vain të Lezhës keni dijeni?
Dëshmitari: Njerëz kanë ardhur plot aty. Por kanë ardhur me thes në krye dhe janë futur brenda objektit.
Prokurori: Ju keni qëlluar ndonjëherë kur merreshin?
Po, por ata ishin brenda, ne ishim jashtë.
Prokurori: Kanë qëndruar me ditë apo?
Dëshmitari: Unë, 24 orë shërbim.
Prokurori: Jo juve, personat që silleshin aty?
Dëshmitari: Personat që silleshim mbaheshin 2 ditë, tre ditë, 15 ditë, një javë, sipas programit që kishin ata.
Prokurori: Nëse ose jo në dijeni se kush nga këta persona është marrë në pyetje?
Dëshmitari: Unë nga dritarja jashtë kam parë vetëm atë mustakun, atë kosovarin. Ishte duke u marrë në pyetje nga një Budjon. Por më kanë parë dhe më kanë thënë “ik”. Jam larguar e kam shkuar në postobllok.
Prokurori: Si e kishte emrin oficeri?
Dëshmitari: Mesa më kujtohet, Budjon, Budjon. Nuk e di si e ka mbiemrin.
Prokurori: Nëse nga ana juaj janë parë ose jo veprime konkrete të kryera ndaj këtyre personave? Në rast se po çfarë keni parë?
Dëshmitari: Unë kam parë aty në tavolinë duke marrë në pyetje zotërinë që kishte brenda.
Prokurori: Nëse jeni ose jo në dijeni se sa kohë është mbajtur ai personi aty brenda?
Dëshmitari: Tani nuk e di atë, se ka 10 vjet ajo punë.
Prokurori: Nëse janë parë konkretisht të tjerë persona që janë marrë në pyetje aty brenda?
Dëshmitari: Persona janë marrë aty brenda, por me emra nuk di gjë.
Prokurori: Nëse keni parë persona të tjerë që po merreshin në pyetje?
Dëshmitari: Vetëm Remzi Hoxhën kam parë.
Prokurori: Në ç’rrethana?
Dëshmitari: E kam parë brenda në dhomë duke e marrë në pyetje oficeri. Ai më ka thënë nga brenda “largohu” dhe kam dalë te postoblloku.
Prokurori: Nëse këta persona kanë ushtruar dhunë ndaj personave që merrnin në pyetje?
Dëshmitari: Tani ata, nuk i kanë thirrur për kafe!
Gjykata:  Në këtë periudhë kur ke parë Budjonin me personin tjetër që ishte nga...
Dëshmitari: Unë vetëm këtë mjekroshin kam parë. Kam dëgjuar që është nga Kosova.
Gjykata: Kur e ke dëgjuar?
Dëshmitari: Atë natë, që e sollën.
Gjykata: Atë natë kishte persona të tjerë të shoqëruar?
Dëshmitari: Nuk më kujtohet. Aty vinin dhe iknin, sipas programit të tyre.
Gjykata: Ti di gjë nga dita kur e ke parë se kur ka ardhur ai person?
Dëshmitari: Jo nuk e di. Unë vetëm e kam parë nga jashtë brenda dhe pastaj jam larguar. Pas 4 ditësh unë jam larguar pastaj nga Vaini.
Gjykata: Sa kohë kishe që punoje aty?
Dëshmitari: Unë jam filluar punë në 1 maj të 1995.
Gjykata: Cili ishte orari i punës?
Dëshmitari: 24 orë, një herë në tre ditë.
Gjykata: Atë ditë që ti ke parë e ke marrë punën në mëngjes?
Dëshmitari: E kam marrë punën në mëngjes, ndërsa atë e kam parë pasdite.
Gjykata: Mund ta përshkruash atë moment që ti e ke parë?
Dëshmitari: Oficeri ishte ulur në tavolinë, ndërsa personi në krevat.
Gjykata: Çfarë kishte tjetër aty?
Dëshmitari: Kishte edhe një raft.
Gjykata: Sa dritare kishte dhoma?
Dëshmitari: Një dritare. Ishte e hapur me rrjetë.
Gjykata: Në momentin që kalove aty dëgjove ndonjë gjë të pazakontë në mënyrën e komunikimit?
Dëshmitari: Oficeri kërcënonte, bërtiste. Nuk e merrte me të mirë.
Gjykata: Mban mend ndonjë shprehje?
Dëshmitari: Janë 10 vjet dhe nuk e mbaj mend.
Gjykata: Ku e morët vesh që ishte Remzi Hoxha?
Dëshmitari: Nga personat që ishin brenda. Ata i njihnin. Në bisedë me ta mësova se kush ishte brenda. Brenda ishin Gjok Hasani dhe e shoqja.
Gjykata: Thatë që keni dëgjuar britma, pra të bërtitura?
Kërcënime pra...
Gjykata: Kush kërcënonte?
Dëshmitari: Oficeri. Bërtiste. Unë e dëgjoja nga jashtë brenda. Pasi më pa mua më tha “ik largohu nga këtu”. 
Gjykata: Këto që po thoni këtu i keni deklaruar më parë?
Dëshmitari: Mark Frrokut, titullarit tim. Besoj një apo dy vite më vonë, më ka marrë në pyetje.
Gjykata: Thatë më përpara se ju shihnit njerëz qe vinin e iknin? Ju ka rastisur shpesh të shikonin njerëz të shoqëruar.
Dëshmitari: Unë një herë në 4 ditë merrja shërbimin.
Gjykata: Ju ka takuar shpesh të shikoni?
Dëshmitari: Në krye të 10 ditëve, në krye të javës.
Gjykata: Mbaheshin shumë persona atje?
Dëshmitari: Po një ose dy. Mbaheshin një javë, në raste dhe më shumë
Dëshmia në prokurori në maj 2003
Në lidhje me sa më pyete kam për të thënë që gjatë kohës që kam qenë roje, mesa mbaj mend kisha disa muaj që kisha filluar punë, ishte viti 1995, punonjës të SHIK-ut Tiranë kanë shoqëruar disa persona. Ne ishim roje dhe nuk na lejohej të merrnim pjesë, por di që ata, të parin që e kishin marrë në Sarandë e kishin torturuar shumë. Atë e kanë sjellë natën dhe më thes në kokë. Mora vesh se ishte kosovar, se kishte qenë në Sarandë, ku hiqej si fotoreporter, por në fakt ishte agjent i serbëve. Mbaj mend që ishte alamet djali me trup të bukur. E kanë mbajtur rreth 15 ditë e kanë torturuar. Dhe një natë që kam qenë vetë prezent e kanë rrah shumë. Mbaj mend që e nxorën jashtë te një dardhë dhe i treguan gropën e gëlqeres, duke i thënë, “O do tregosh, o do të mbulojmë këtu”, duke i treguar gropën me gisht. Personat që i merrnin në pyetje ishin oficerë të SHIK-ut të Tiranës. SHIK i Lezhës nuk merrte pjesë. Oficerët e SHIK-ut ishin të ndryshëm, por unë mbaj mend njërin prej tyre që ishte tepër aktiv. Ai ishte i shkurtër, i shëndoshë, pak tullac dhe i flisnin Budjon. Biles një mbrëmje, Budjoni doli nga zyra ku kishte marrë në pyetje atë kosovarin, ishte shumë i gëzuar, dhe i gjuajti me gusht verandës dhe duke thënë “U çliruam” dhe iu hodh më qafë një burri të madh me trup, i cili ishte nëndrejtor, ose drejtor i tyre. Ky tjetri i bërtiti duke i thënë, “mos bërtit, por mbaro punë”. Pas këtij momenti, drejtori ka ikur për Tiranë. Pas këtij kosovarit mbaj mend që kanë sjellë dhe të tjerë, me sa mbaj mend dhe dy tre të tjerë, të cilët i kanë torturuar. Nuk i kam parë, por dëgjoheshin të bërtiturat e tyre. Dhe kur afrohesha te dritarja, Budjoni bërtiste “Largohu!”. Shtoj se ky personi i thirrur aty kishte një prej këmbëve të thyer në allçi. Se cilën këmbë nuk e mbaj mend.

Akuza në gjyq, kërkohet dosja e Ilir Kumbaros
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën e prokurorit Xhevat Hana për thirrjen si dëshmitar në proces të shtetasit kosovar Shaqa Shatri. Sipas përfaqësuesit të akuzës, thirrja e Shatrit do të bëhej për shkak se Ilir Kumbaro, i pandehur në proces, ka mbajtur këtë identitet në Londër në kohën që i fshihej drejtësisë. Sipas togave të zeza, gjykatësi nuk ishte zyrtarisht në dijeni të këtij fakti. Mësohet se pas servirjes së dokumenteve përkatëse, prokuroria do ta përsërisë kërkesën.            ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›