E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi shokët, në gjyq pronari i 101 kg hashash

 

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj pesë personave të akuzuar për episodin e trafikimit të 101 kileve marijuanë, të cilat u gjetën të braktisura në një makinë në Dropull të Gjirokastrës më 8 dhjetor 2008. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave i pandehuri kryesor në këtë dosje është Ervin Hoxha nga Fieri, i akuzuar për "trafikim të narkotikëve". Lista e të pandehurve të kësaj çështje vijon me Klevin Tomorrin, Andi Nazerajn, Ervin Saliajn dhe Shkëlzen Lamçen, të katër të akuzuar për moskallëzim krimi. Prokuroria tha se nga hetimet ka rezultuar se më 8 dhjetor 2008 në vendin e quajtur Cecem, në anë të rrugës Vrisera-Llongo të komunës Dropull në Gjirokastër, është gjetur i braktisur një automjet autoveturë tip NISSAN Mikra me targa TR 8710 L. Sipas hetimeve, makina është gjetur e braktisur dhe brenda saj janë bllokuar katër çanta me lëndë narkotike e llojit hashash, e cila pasi u peshua rezultoi se ishte 101 kilogramë. Dosja është hetuar fillimisht nga Prokuroria e Gjirokastrës dhe më pas hetimi është deleguar te Krimet e Rënda. Hetuesit kanë sekuestruar dokumentet e makinës, konkretisht një kontratë shitblerje që provonte se automjeti ku u gjet droga i përkiste Ervin Hoxhës, banues në fshatin Kuman, Fier. Prokuroria ka marrë në pyetje katër të akuzuarit për moskallëzim krimi, të cilët kanë sqaruar se më 7 dhjetor 2008, Ervin Hoxha është takuar me ta dhe u ka premtuar se do të shkonin ne Greqi të nesërmen. Gjatë kalimit në kufi i pandehuri u ka premtuar katër personave se do t'u jepte nga një çantë me hashash dhe pas trafikimit të saj do të merrnin nga 1 mijë euro secili. Të nesërmen katër të akuzuarit kanë pritur, por Ervin Hoxha nuk ka shkuar të takohej me ta ndërsa kishte braktisur edhe makinën e tij ku ndodhej lënda narkotike e sekuestruar nga policia kufitare e Gjirokastrës. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›