E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Esmeraldën nuk e vetëvarën ‘Dëshmitarët e Jehovait’”

10/05/2005  Prokuroria mbyll dosjen e vetëvrasjes së 13-vjeçares

FIER - Burimet zyrtare nga Prokuroria e rrethit Fier bëjnë të ditur se Esmeralda Cene, 13 vjeçe, banuese në lagjen "1 Maji”, Fier, më 12 shkurt të vitit 2005 është vetëvarur në një gjendje të veçantë emotive, dhe kjo vdekje nuk kishte të bënte kategorikisht me frekuentimin e saj në sektin “Dëshmitarët e Jehovait”, apo të besimit te ky sekt.

Ndërkohë, po sipas hetimeve, Esmeralda Cene, nxënëse e klasës së pestë të shkollës 9-vjeçare “Jani Bakalli” Fier, jetonte në një familje të shkëlqyer dhe në kushte ekonomike shumë të mira. Ajo nuk kishte probleme as në familje dhe as në shkollë, por problemi i saj fatal duket se ka qenë vetëm ndjeshmëria e tepërt.

Për të arritur në këto përfundime, Prokuroria ka marrë një sërë deklarimesh si nga prindërit, mësuesit madje edhe nga “Dëshmitarët e Jehovait”, të cilët u përfolën se ishin shkaktarët e kësaj ngjarjeje tragjike.

Akti ekspertizës, i ekzaminimit të kufomës ka nxjerrë konkluzionin se vdekja e 13-vjeçares ka ardhur si rezultat i asfiksimit nga laku në fyt.

Sipas prokurores Zaimi, vetëvarja e vajzës ka ardhur si rezultat i karakterit të saj të ndjeshëm dhe të brishtë dhe nuk ka asnjë lidhje me sektin fetar, pavarësisht se kjo gjë u përfol në media, madje pranisë së broshurave të Jehovait në dhomën e vajzës iu mëshua edhe në policinë fierake.

“Jo çdo gjë që thuhet mund të përbëjë fakt”, ka thënë dje prokurorja. Lidhur me vetëvarjen e djalit nga fshati Ndërmenas, Viron Dhani, prokuroria Zaimi pohoi se ende janë në hetim e sipër dhe nuk mund të thonë nëse është implikuar sekti fetari i Jehovait, sekti kinez apo ndonjë sekt tjetër.

“Kur të përfundojë hetimi dhe për të, unë do të prononcohem në shtyp, pasi kishte përfolje të madhe lidhur me këtë ngjarje”, përfundoi prokurorja Zaimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›