Ilirjan Dida në Apel, kundër arrestit shtëpiak
02/12/2004 TIRANË – Asaf Hadëraj, avokati që mbron interesat e ish- komisarit Ilirjan Dida, ka apeluar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Avokati tha dje se nuk ka qenë dakord me vendimin për arrestin shtëpiak kundër Didës, duke patur parasysh elementët lehtësues që ndodhen në dosjen penale. Sipas avokatit, arresti shtëpiak u dha për inerci, sepse akuza e vënë ndaj Didës për gjobëvënie dhe shkatërrim të pronës së tjetrit me dashje kishte rënë me kohë. Një nga arsyet kryesore të rrëzimit të këtyre akuzave janë deklarimet e Ermal Qeres. Avokati tha dje se, Qerja ka mohuar gjithçka të thënë në seancën e parë të pyetjeve. Po kështu, edhe arrestimi i dy të pandehurve të tjerë ka nxjerrë të pastër figurën e Didës në këtë ngjarje, sipas avokatit. Kërkesa për prishjen e vendimit të Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda vetëm sa është depozituar. Ajo ende nuk është marrë në shqyrtim. Ndërkohë, i pandehuri Ilirjan Dida i është bindur vullnetit të gjykatës për të qëndruar në arrest shtëpie dhe për të qenë në gatishmëri të organit të Prokurorisë. Ndryshimin e masës së sigurimit për Ilirjan Didën, i cili u akuzua se i vuri një gjobë 100 mijë euro baxhanakut të tij, Fatos Hamzallari, e kërkoi edhe vetë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas akuzës, për Didën kanë ndryshuar edhe rrethanat e hetimit.