Estonia barazon në minutën e fundit, por Shqipëria kualifikohet
Skadra e Mustedaganiçit kualifikohet në fazën elitë, pasi ka zënë vendin e dytë në Grupin 12, pas Gjermanisë
Estoni Shqipëri 1-1
Më në fund, vjen një kualifikim nga përfaqësueset tona të moshave. U-17, që drejtohet nga Xhemal Mustedanagiç, është renditur e dyta në Grupin 12, pas Gjermanisë, duke u kualifikuar për në fazën elitë. Dje kuqezinjtë e vegjël kanë barazuar me Estoninë 1-1, ndërsa Gjermania ka mundur 2-0 Sllovakinë.
Takimi i Shqipërisë është luajtur në stadiumin A. Le Coq Arena, në kryeqytetin e Estonisë, Talin. Takimi nis i shpejtë për tanët, që krijojnë aksione të rrezikshme qysh në minutat e para. Kapiteni Ymeraliaj në minutën e pestë jep sinjalet e një fitoreje të mundshme të tanëve, por mbrojtja vendëse largon rrezikun.
Nuk përfundon aksioni, pasi topin e merr Hoxha, që sulmon portën përsëri, por portieri Karofeld largon sërish rrezikun. Kundërsulmojnë vendasit, por në momentin e fundit gjuajnë jashtë kuadratit. Pas minutës së 20-të lojën e drejtojnë kuqezinjtë, që krijojnë raste të shumta, por portieri estonez, Karofeld, bën të pamundurën, duke e mbajtur rrjetën të paprekur. Përfundon pjesa e parë me rezultatin e bardhë 0-0 dhe gjithçka mbetet e hapur sa i përket kualifikimit.
Në fraksionin e dytë të lojës skuadrat futen në fushë me të njëjtat formacione. Skuadra e Mustedanagiçit, pasi ka marrë udhëzimet përkatëse mes pjesëve, e nis fraksionin e dytë më e organizuar. Si rrjedhojë e sulmeve të shpejta Ojama i ndërhyn në mënyrë të parregullt Gjonajt brenda zonës së 16-metërshit dhe shqiptarët fitojnë 11-metërsh. Ekzekuton me mjeshtëri Jonuzi dhe 1-0. Një moment po për tanët, pasi me dy fitore në grup kualifikimi ishte i sigurt. Por nuk përfundon këtu.
Vendasit nuk kanë se çtë humbasin më shumë, dalin në sulme të njëpasnjëshme, duke marrë faulle në zonën tonë, po ashtu edhe duke shkaktuar disa të tillë e si pasojë kryesori i takimit akordon disa kartonë të verdhë. Kur skuadra jonë mendon se gjithçka mori fund, miqtë shfaqen rrezikshëm, duke shënuar golin e barazimit në sekondat e fundit të takimit me mesfushorin Pauer.
1-1, por shqiptarët sërish janë të kualifikuar, pasi në ndeshjen tjetër gjermanët fituan kundër sllovakëve 2-0, me gola të Gorencas dhe Benkarit në minutat 10 dhe 23 të takimit. Koka e grupit është Gjermania me pikë të plota (9), e ndjek Shqipëria e dyta me 4 dhe dy vendet e fundit mbahen nga Sllovakia me 3 dhe Estonia 1 pikë.
Shorti, që pritet të hidhet në fund të nëntorit, do të përcaktojë grupet e fazës elitë. Janë gjithsej 28 skuadra të kualifikuara, që do të ndahen në 7 grupe me nga 4 skuadra. E para e çdo grupit kualifikohet në fazën finale. 7 skuadrave të kualifikuara u bashkohet Sllovenia, vendi pritës i fazës finale.
