E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ethet Elektorale

03/03/2005  Prof.Asc.Dr. Tashmë, të dy kampet e mëdhenj të politikës shqiptare, i kanë kapur ethet elektorale dhe përpëliten për të hedhur në tregun mediatik resurse të “pazbuluara deri më sot”. Eshtë luajtur me plot sofizma, që s’i kanë sjellë asnjë dobi apo ndryshim cilësor politikës, si thithjen e njerëzve të shquar nga shoqëria civile, bota akademike, biznesmenë të suksesshëm etj. Që kur dolën në horizont dhe në vazhdimësi, bëhet zhurmë e madhe për emisarët e së ardhmes, që quhen “emrat e shpresës”, pra shenjtorët që po zbresin nga një planet i shenjtë dhe do mëkojnë politikën shqiptare. Tullumbace, e fishekzjarre të tilla publiku ka parë vazhdimisht në fushatat paraelektorale.

PD nxori në skenë Komitetin e Orientimit të Politikave, KOP, si një risi në politikë, që përfaqësojnë një forum vlerash e dijesh, që mbartin një eksperiencë të vyer, që do e derdhin si një parfum ekstra mbi programin elektoral që do hartojnë dhe që nesër, po të vij e djathta në pushtet, këta do jenë pjesë e administratës së re. Pra, ky komitet i politikave, sipas ditirambëve të së djathtës, do jetë komiteti i shpëtimit të shqiptarëve. Le të besojmë dhe shpresojmë se kështu do ndodhi. Por koha jo e shkurtër prej 15 vjetësh, ka treguar se në ashensorin e politikës shqiptare kanë hipur e zbritur shumë personazhe me cilësi e vlera të fetishizuara nga lidershipët e partive. Mirëpo, një pjesë e njerëzve që u quajtën “emrat e shpresës”, për fat të keq janë pranuar në institucione dhe administratën shtetërore dhe për ironinë e së djathtës, disa prej tyre kanë shërbyer në administratën politike të së majtës. Ky kontigjent ishin të përndjekurit, të rrahurit dhe të demaskuarit e Partisë Demokratike, që lëvizin si lavjerës nga e djathta tek e majta dhe anasjelltas. Ata nuk kanë qenë të zakonshëm, por me poste të larta si ministra, drejtor drejtorish e deri drejtor doganash, në pika nevralgjike qeverisëse. Ndërrimi i karrigeve sa djathtas-majtas dhe anasjelltas, ka shpalosur vlerat morale, intelektuale dhe profesionale të këtyre aktorëve, që tashmë po vënë kurorën e Komitetit të Orientimit të Politikave të Partisë Demokratike. Por ata kanë provuar dy herë kurora të vendosura në kokë me shirita blu dhe shirita të kuq. Dhe, me sa duket, kokat e tyre janë në kërkim të një kurore që t’ju vij në masën e formës së kokës, multidimensionale. Disa prej tyre, që kanë qenë në drejtim në qeverisjen e së majtës, u shprehën publikisht se ne kemi qenë gjithmonë të djathtë. Këtë si ta quajmë: “trimëri pas lufte, apo urtësi pas kuvendit”?! Po të ndjekësh prononcimet e tyre, janë paksa kontradiktore. Zonja Kongoli pohon se është angazhuar nga shoqëria civile, por është e djathtë. Natyrshëm shtrohet pyetja, si kanë pranuar apo depërtuar këta personalitete, apo siç u quajtën nga neopolitika PD-iste, njerëz të jashtëzakonshëm (mbitokësorë, qiellorë etj.), që s’di a ka të tilla që të përligjin lartësinë e këtyre posteve. Shumë njerëz me bindje të djathta, kanë hyrë në qeverisjen e majtë në dy plane: të deklaruar ose të vetëshpallur dhe të fshehtë, anonim. Ndaj, te të fundit, që siç u bë publike, janë edhe 6 vetë, që s’duan të identifikohen se punokan në piramidën e qeverisjes së sotme! Ditët kalojnë dhe ata rrinë të strukur në strofkën e tyre të ngrohtë.

Nuk është sekret të pohohet se në qeverisjen e majtë ka shumë drejtues të lartë në të gjitha nivelet, dikasteret që janë me bindje të djathta. Dhe kjo risi erdhi nga politika liberale, emancipuese, evropianizuese që futi kryetari i mazhorancës, Fatos Nano. Tre shtyllat e qeverisjes së majtë, si meritokracia, profesionalizmi dhe bashkëqeverisja ishin trinomi, që nisi rrugën mazhoranca në pushtet. U çrrënjos në mentalitetin e drejtuesve të majtë militantizmi në pushtet, siç ndodhi në qeverisjen demokratike. Sigurisht që një frymë e tillë ishte me kosto të lartë për Partinë Socialiste, se duke mohuar interesat, materiale apo jetësore të elektoratit të vetë, pati edhe një firo, duke shkuar në parti të tjera. Eshtë kjo arsyeja që në disa dikastere edhe sot përqindja e punonjësve është në favor të së djathtës. Kjo frymë e ka dhënë efektin e vet. Ndryshe nga qeverisja kur ishte në pushtet e djathta, që s’bëhesh fjalë të kishte në drejtim nga e majta, por ata edhe specialistët e aftë me tituj e grada shkencore deri në profesor, i nxorën në rrugë të shisnin banane. Ndërsa sot në administratën shtetërore ka një klimë tjetër, më shumë paqësore, bashkëvepruese, komplementare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›