E Hënë, 2 Nëntor 2026

Noli akuzohet nga emigracioni si mbrojtës i Enver Hoxhës

03/03/2005  Cila është biseda që bëri një nga intelektualët e njohur shqiptar A. Logoreci me Mit’hat Frashërin në Londër? Pse nuk arritën, së bashku me misionarin anglez Xhon Amery t’i kundërpërgjigjeshin regjimit të Enver Hoxhës? Cila ishte deklarata që bëri Zogu në një nga agjencitë amerikane për përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës?Pse grupet e emigracionit politik shqiptar polemizuan ashpër me Fan Nolin?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Mosbesimi i politikanëve shqiptarë në emigracion ndaj politikës greke u shfaq në shumë raste. Kështu, njëri nga intelektualët e njohur shqiptarë, që punonte atëherë në BBC, Anton Logoreci, takoi Mit`hat Frashërin në Hotel Berkli në Pikadili (Londër) dhe i shprehu atij rezervat ndaj idesë së J.Ameryt për të organizuar kundërpërgjigjen e armatosur ndaj E.Hoxhës. Sipas Logorocit, çdo sulm, që mund të realizohej duke përdorur si bazë Greqinë, mjaftonte për ta diskredituar idenë në sytë e shqiptarëve.

Ishte mjaft e lehtë në atë rast të paraqisje si tradhtarë të gjithë grupet, që do të hynin në Shqipëri e më pas do të tërhiqeshin në Greqi, pavarësisht se kush i mbështeste ata. Nga një këndvështrim tjetër e shihte çështjen A.Zogu, i cili këmbëngulte që, Fuqitë e Mëdha Perëndimore duhej të garantonin pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si parakushtin esencial për organizimin e një kryengritje antikomuniste në Shqipëri. Në një intervistë, që i dha agjencisë “Unite de Press” më 16 qershor 1951, Zogu deklaroi se, “kusht i domosdoshëm që, populli shqiptar të përmbysë regjimin e sotëm, është marrja e iniciativës nga SHBA, Anglia dhe Franca për të garantuar indipendencën e, sidomos, integritetin tokësor të Shqipërisë. Kjo do t`i inkurajonte shqiptarët edhe ata, që sot detyrohen të mbështesin qeverinë aktuale, të marrin parasysh çdo sakrificë për çlirimin e vendit”.

Emigrantët shqiptarë, që morën pjesë në këtë operacion, ishin gati të luftonin për Shqipërinë dhe jo për ndonjë kauzë tjetër. Atyre nuk u kishin thënë arsyet e tjera se pse po bëhej operacioni, si p.sh. nevoja që kishte Perëndimi për të ulur presionin komunist mbi Greqinë, etj. Ky operacion u realizua nga ata, që ishin të padëshirueshëm për politikën greke. Për të paguan shumë me gjakun e tyre emigrantët politikë shqiptarë. Pavarësisht se dështoi, ai shërbeu vetëm për një gjë: – për t`i dëshmuar Stalinit vullnetin e Perëndimit për t`u kundërpërgjigjur, duke ndikuar kështu në shpëtimin e vendeve të tjera dhe, në radhë të parë, Greqisë nga rindezja e luftës civile. Lordi Nikolas Bethel ka arritur në këtë përfundim: “Nëse Perëndimi do të kishte hezituar, Stalini do ta kishte rindezur luftën civile në Greqi, do ta mbyste rebelimin e Titos dhe do të inkurajonte e forconte pozitat e komunistëve italianë” . Gjykimi i tij duket se është bindës. Duke marrë pjesë në këtë operacion, emigrantët shqiptarë i treguan Perëndimit se, shpirti liridashës i shqiptarëve rronte dhe, kështu, atyre nuk duhej t`u mohohej mundësia që, pas përmbysjes së komunizmit ta provonin se ishin një faktor për stabilitetin, demokracinë dhe progresin në Ballkan.

Duke patur këto koncepte për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për bllokimin e pretendimeve aneksioniste greke, grupet kryesore të emigracionit politik, kryesisht Balli Kombëtar, zhvilluan një polemikë të ndezur me Nolin, “Vatrën” dhe organizatën “Shqipëria e Lirë”, të cilët po e zhvillonin fushatën kundër pretendimeve greke, duke u vënë në krah të qeverisë komuniste, ose duke i kaluar në heshtje disa qëndrime të saj. Më 19 prill të vitit 1953, në një konferencë që mbajti në Detroit, Stavro Skëndi e kritikoi Nolin se po e mbronte qeverinë komuniste, duke e propaganduar atë si mbrojtësen e kufijve të Jugut. Ai deklaroi se, këto kufij nuk i mbronte qeveria e E.Hoxhës por Moska për interes të saj, e cila nesër mund të ketë interes t`i lëshojë këto toka. S.Skëndi e vinte theksin në faktin se, Shqipëria ishte i vetmi shtet satelit, me të cilin Rusia nuk kishte lidhur një traktat mbrojtjeje. Ai, në emër të Ballit Kombëtar, i bëri thirrje Nolit që të orientohej vetëm në mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, pa e lidhur këtë çështje me përkrahjen e qeverisë së Tiranës, e cila “s`kishte nevojë për zërin e shqiptarëve të Amerikës, që vlente vetëm kur ngrihej në tokën amerikane”.

S.Skëndi e quante marrëzi “ta hidhje këtë fuqi (shqiptarët e Amerikës – B.M.) në anën e qeverisë së Tiranës sepse shkonte dëm” dhe sepse ajo, kështu, “komprometohej para autoriteteve amerikane” . Balli Kombëtar u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të Amerikës të bashkoheshin rreth “Vatrës”, e cila kishte një emër dhe histori të madhe, por që duhej të ndryshonte rrënjësisht qëndrimin e saj, duke u deklaruar pa rezerva kundër regjimit komunist të Tiranës dhe, duke u radhitur në anën e Amerikës. Balli e vlerësonte qëndrimin “antiamerikan” të Diellit në dëm të interesave kombëtare, “sepse Amerika aktualisht luante rolin kryesor në botën perëndimore dhe Shqipëria kishte nevojë të madhe për përkrahjen e saj”. Lidhur me KOASH të Amerikës, Balli Kombëtar kërkoi depolitizimin dhe neutralitetin e saj kundrejt rrymave të ndryshme politike. Balli e denoncoi lëvizjen e Marko Lipes, si të nxitur nga Fanari. Ai u bëri thirrje atyre ortodoksëve shqiptarë, të cilët ishin mashtruar prej tij dhe gjithë të tjerëve, që të bashkoheshin rreth Peshkopatës shqiptare. Ai kërkoi që, kisha të deklaronte se ishte e pavarur dhe nuk do të kishte lidhje me KOA të Shqipërisë, e cila ishte robëruar dhe se, ajo do të ishte neutrale në ballafaqimin politik, që po zhvillohej midis grupeve filokomuniste dhe antikomuniste në diasporë.

Pas përfundimit të operacionit antikomunist të viteve 1949-1953, qeveria greke u përpoq të mbante nën vëzhgim zhvillimet politike brenda emigracionit politik shqiptar dhe raportet e tij me Fuqitë Perëndimore. Në shkurt të vitit 1954 diplomatët grekë në Romë u kërkuan diplomatëve amerikanë të dhëna mbi marrëdhëniet midis KKSHL dhe Komitetit të Prizrenit. Në këtë takim diplomatët grekë vunë re ndryshimin e qëndrimeve midis amerikanëve, që mbështesnin zgjerimin e KKSHL, dhe britanikëve, të cilët e kundërshtonin këtë gjë dhe, njëkohësisht, mbanin një qëndrim më dashamirës ndaj Komitetit të Prizrenit dhe Jugosllavisë që synonte ta ndryshonte regjimin e Shqipërisë në favor të saj. Ata u shfaqën amerikanëve shqetësimin e qeverisë greke për implikimin e Jugosllavisë në Shqipëri, i cili mund të çonte në një rrethim solid sllav të Greqisë. Përshtypja e diplomatëve amerikanë ishte se, grekët po përpiqeshin të zbulonin nëse kishte ndonjë mosmarrëveshje esenciale midis zbulimeve amerikane e britanike lidhur me qëndrimin ndaj KKSHL dhe Komitetit të Prizrenit. Në të vërtetë, grekët preferonin më shumë Komitetin e Prizrenit, i cili, ndonëse ishte nën kontrollin e Beogradit, mund t`u shërbente disi edhe interesave greke, për arsye se ai, ndryshe nga KKSHL, nuk drejtohej nga organizatat dhe politikanët kryesorë nacionalistë shqiptarë, por nga minoritarë sllavë. Por Athina tregohej e kujdesshme, pasi ajo e shihte se KKSHL kishte mbështetjen e amerikanëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›