E Hënë, 2 Nëntor 2026

Historianët harrojnë Kuvendin e Lezhës

03/03/2005  Viti i Skënderbeut

Viti 2005 është "shpallur" edhe viti i Skënderbeut, pasi mbushen plot 600 vjet nga lindja e heroit kombëtar. Por, mesa duket, kjo do të mbetet vetëm një utopi, pasi deri më tash, nuk ka asnjë "lëvizje" për të përkujtuar Skënderbeun, kur edhe dje, më 2 mars, ditën që u mblodh Kuvendi i Lezhës, askush nuk u kujtua për bashkimin e parë kombëtar, të frymëzuar nga prijësi i Kastriotëve

Një vit tepër i rëndësishëm për historinë mbarëkombëtare, pasi lidhet me një ngjarje të rëndësishme, lindjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, një figurë me përmasa evropiane, e jo vetëm. Ky vit është shpallur edhe viti i Skënderbeut (1405-1468), nga Akademia e Shkencave, madje janë programuar edhe aktivitete të ndryshme për nder të tij. Në Kosovë më së pari dhe në Shqipëri do të rikujtohet 600-vjetori e lindjes së tij në realizimin e një seri veprimtarish. Kështu do të ndodhë edhe me instanca të kulturës së historisë dhe të albanologjisë të disa vendeve evropiane si Itali, Danimarkë, Belgjikë, Gjermani e Hungari, të cilat do të fokusojnë figurën e prijësit shqiptar dhe marrëdhënieve të tij me botën konfliktuale në mesjetën e shekullit XV. Por, për fat të keq, përveç konkursit kombëtar në artet pamore, me temë "Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, strateg dhe diplomat", nuk është parë dhe dëgjuar gjë tjetër. Madje, konkursi ishte një ide e Presidencës dhe Galerisë kosovare. Përpos kësaj dhe njoftimi për takime "shkencore", bëhet fjalë për në Itali, Danimarkë etj., por në Shqipëri jo, të paktën për momentin. Eshtë e rëndësishme të zhvillohen aktivitete të tilla në vende evropiane, pasi edhe përmasat e figurës janë të tilla, por të injorohet në këtë mënyrë vendi, kombi, shteti të cilit ai i përket, kjo është jo vetëm e papranueshme, por edhe... Dje, kalendari shënoi 2 mars dhe për të gjithë ata që nuk e dinë, por edhe për ata që e dinë, por e "ruajnë" për vete, në këtë datë të vitit 1444 u mbajt Kuvendi i Lezhës, me iniciativën e Skënderbeut, Kuvend që do të shënonte të parin bashkim kombëtar dhe krijimin e shtetit të Arbrit, që mund ta quajmë pa frikë dhe të shtetit të parë shqiptar, në të gjithë historinë. Eshtë groteske, por të jesh në vitin e quajtur të Skënderbeut dhe të mos organizosh as një simpozium (minimalisht), për Kuvendin e Lezhës, është jo vetëm e pabesueshme, por edhe denigruese. A është e mundur vallë që, akademikët, historianët, studiuesit tanë të mos e dinë rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij fakti historik? Në një vit që i është kushtuar (de jure, të paktën), figurës së Gjergj Kastriotit, të mos përkujtosh një nga arritjet më të mëdha historike të një kombi, bashkimin e tij për të parën herë, kjo po, vetëm në Shqipëri mund të ndodhë... Për të gjithë ata që nuk e dinë apo nuk e kujtojnë rëndësinë e Kuvendit, sjellim një shembull nga anglezi Robert Vogan, gravura e të cilit "Skënderbeu" është botuar në katalogun "9 portretet e njerëzve modernë më të mëdhenj e më të nderuar të botës", Londër 1622. Artisti e krijoi në kohën kur, Jaku i VI i Skocisë dhe Jaku i I Anglisë ishin në konflikte të ashpra, po kështu dhe kishat e tyre respektive protestante dhe katolike gjendeshin po në këto konflikte. Mbase, artisti e sugjeroi simbolin e kombit arbëresh, si shembull të bashkimit kombëtar në mjedisin e mbretërve britanikë. Për këtë flet qartë madhësia e mburojës dhe simboli i shqiponjës me dy krerë...

Skënderbeu, ndër njerëzit më të rëndësishëm të shek. të XV

Zhvillimet e veprimtarive diplomatike, politike dhe ushtarake në Arbëri (Shqipëri) dhe në Evropë gjatë shekullit XV, nuk mund të kuptohen pa rolin vendimtar të veprimtarive të Skënderbeut, heroit kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare. Studiuesja Suzana Varvarica, në një studim të saj, citon qartazi dy ide që vijnë nga dy kohë të ndryshme dhe hedhin dritë mbi qëndrime të ndryshme. "Nuk gjejmë fjalë të mjaftueshme për të lavdëruar ose për të admiruar madhështinë e pabesueshme të shpirtit tuaj dhe urtësinë e burrërisë suaj të pashoqe… Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat, për të gjithë popujt" (Nga letra e vitit 1452 e qytetit të Raguzës drejtuar Skënderbeut) dhe idetë më të fundit të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili e rikujton rolin e tij në situatat e sotme politike e kulturore në Shqipëri dhe Evropë, duke thënë: "Skënderbeu është figura më imediate e sotme dhe më e nevojshme për Shqipërinë. Eshtë figura, të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamur kryesor për të hyrë në Evropë. Eshtë figura që tregon se shqiptarët janë ndjerë evropianë në shekuj, sepse edhe kur u pushtuan dhe kur mbetën në një kohë anadollakë, prapëseprapë ata nuk e braktisën këtë figurë asnjëherë… Do të kishin zili shumë popuj në Ballkan që ta kishin këtë figurë. Ne e kemi, nuk dijmë ta çmojmë…". (Intervistë e dhënë Dojçe Veles, botuar te “Shekulli”, 28 janar 2005). "Në historinë e shekullit XV, kjo figurë jo vetëm zë një vend nderi te gjeneratat njerëzore, por kujtesa e tyre dokumentare ose e trashëguar zanore ka arritur të transmetojë cilësitë fizike dhe përbërjen e veprimtarive të tij. Për kombin shqiptar duhet të jetë shumë i rëndësishëm fakti 'Skënderbe'. Lidhjet e piktorit italian Xhentile Belini, (1427/29-1507), me këtë shkollë dhe të dhënat rreth krijimtarisë anonim të një kopje portreti të ekspozuar në Galerinë 'Ufici' të Firences, i cili deri më tani mendohet se është pikturuar sipas skicave të humbura të Belinit, i japin Belinit të drejtën e piktorit të parë, që skicoi portretin e Skënderbeut në Romë apo në Venecia dhe e konsiderojnë atë si vizionarin e parë mbi tiparet psikofizike mbi heroin", nënvizon Varvarica, duke shtuar se "në të gjitha historitë e shkruara, periudha e Skënderbeut është cilësuar si një nga periudhat më të rëndësishme që mundësoi zhvillimin e qytetërimit shqiptar. Në këtë periudhë, atij i është dhënë një vend nderi dhe është cilësuar burimi kryesor i bashkimit kombëtar të popullsisë arbëreshe, edhe pse në kohën e tij kupolat e feve katolike dhe ortodokse ishin në një konflikt të hapur. Ai u cilësua burim i ndërtuesit të shtetit feudal, i mbrojtjes së kulturës kristiane, i respektimit të kulturës myslimane dhe administrues i aftë dhe pjesëmarrës aktiv në diplomacinë e shekullit XV, që tashmë është e shkruar se ka qenë një diplomaci konfliktuale dhe e tejskajshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›